AKTUALITET, 10 Janar 2018, 18:47

Mimoza Hafizi akuza Blushit: Ke uzurpuar partinë, Libra është e fjetur politikisht

Mimoza Hafizi akuza Blushit: Ke uzurpuar partinë, Libra është e

Mimoza Hafizi, anëtare e partisë Libra, ka postuar një status në faqen e saj në facebook, ku njofton mbledhjen e partisë. Hafizi shprehet se njoftimi i saj nuk është publikuar në faqen zyrtare të partisë, sepse kjo parti, është uzuarpuar nga kryetari Blushi. Sipas Hafizit, Blushi refuzon të mbledhë partinë dhe e ka lënë këtë forcë politike si një "institucion të rrudhur dhe të fjetur politik".

Statusi i Hafizit: 

NJOFTIM PËR ANËTARËSINË LIBRA

Në situatën kur Portali i Partisë Libra, www.libra.al, nuk pranon të publikojë thirrjen për mbledhje të Bërthamës LIBRA, jam e detyruar të përdor faqen time personale, për informim të anëtarësisë.

Bërthama Libra është organ themelor statutor, i votuar nga e gjithë anëtarësia me parimin një anëtar, një votë. Bërthama i ka të gjitha kompetencat e saj të përcaktuara në Statut.

Çdo përpjekje për të mos lejuar mbledhjen e Bërthamës apo zëvendësuar me takime paralele, është uzurpim institucional brenda Partisë. Takimet me elektoratin apo aktivistët mund të kenë vetëm karakter konsultues.

Prej 6 muajsh, z. Blushi nuk pranon ta mbledhë këtë Bërthamë. Mbledhja e fundit e saj është zhvilluar me datën 13 Korrik 2017.

Në këto kushte, në përputhje me përcaktimet e Statutit Libra, më tepër se 1/3 e anëtarëve të Bërthamës kanë kërkuar mbledhjen e saj, me datë 12 Janar 2012.

Në vijim njoftimi i mbledhjes drejtuar 30 anëtarëve të Bërthamës:

Në kushtet që jemi, Libra është sot një institucion i rrudhur, një instrument i fjetur politik edhe pse në fazat e para të formimit institucional. Nisur nga këto konstatime dhe të bindur se e ardhmja, pritshmëritë dhe fati i lëvizjes varen sot eskluzivisht nga vullneti dhe pasioni ynë i përbashkët, një grup nismëtar (anëtarë të zgjedhur të Bërthamës) kërkojnë si më poshtë :

Mbledhje të Bërthamës Libra

Bazuar në nenin 11 të Statutit Libra, ku përcaktohet :

”Mbledhja e Bërthamës thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e Bërthamës. Me thirrjen e Bërthamës përcaktohet dhe rendi i ditës.”

Thërrasim mbledhjen e Bërthamës Ditën e Premte, datë 12 Janar, ora 19:15, me këtë rend dite:

1. Sqarimi dhe përcaktimi i statusit të secilit prej anëtarëve të Bërthamës, që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet në mënyrë jozyrtare,

2. Analizë e situatës së brendshme dhe zhvillimeve në Libra, si dhe pozicionimit të saj aktual politik.

/TPZ.AL/