AKTUALITET, 10 Janar 2018, 17:41

Edvin Murati mbështet Armand Dukën: Ka punuar shumë, e meriton kreun e FSHF-së

Edvin Murati mbështet Armand Dukën: Ka punuar shumë,  e meriton

“Kur një skuadër fiton, nuk e ndryshon dot”. Evdin Murati, ish-lojtari i njohur i Kombëtares shqiptare të futbollit ka zgjedhur një shprehje të ish-trajnerit të tij, Luis Fernandez, për të mbështetur kandidaturën e Armand Dukës në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në një intervistë për të përditshme “Panorama Sport”, Murati është shprehur qartazi për mos ndryshimin e kreut të FSHF për sa kohë që ai ka “punuar shumë” dhe institucioni më i lartë i futbollit në vend ka pasur rezultate të mira në punën e tij.

“Duhet ta nisim nga infrastruktura. Në një kohë të shkurtër janë bërë në Shqipëri tri stadiume të niveleve të mira. Mendoj se ka shumë projekte nga UEFA dhe FIFA që janë bërë në Shqipëri. Në vendin ku unë jetoj thonë: Parisi nuk u ndërtua për një ditë. Unë i respektoj të gjithë në Shqipëri, por kur diçka ecën mirë nuk ka pse të mos vazhdojë”, është shprehur Murati në intervistën e tij.

Aktualisht Komiteti Ekzekutiv i FSHF ka shpallur datën e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, që është edhe dita e zgjedhjeve për kreun e këtij institucioni. Zyrtarisht ende nuk ka kandidatura të shpallura, por në media janë përvijuar si kandidatë potencialë kreu aktual i federatës, Armand Duka dhe deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino.