SPORT, 22 Tetor 2017, 17:06

Milan barazon me Genoa-n pas të kuqit të Bonucci-t, e majta vdekjeprurëse e Kolarov i jep fitoren Roma-s

Milan barazon me Genoa-n pas të kuqit të Bonucci-t, e majta

Milan e filloi mirë ndeshjen përpara tifozëve të tij dhe Borini kishte një mundësi të mirë në minutat e para për të kaluar në avantazh por pritja fantastike e Perin mban rrjetën e paprekur. Por gjithçka vështirësohet për Kuqezinjtë në minutën e 25’ kur Leonardo Bonucci del nga fusha me karton të kuq pas bërrylit ndaj kundërshtarit.

Duhej ndërhyrja e VAR për të kapur ndërhyrjen e gabuar të qendërmbrojtësit brenda zonës. Ndeshja merr një rrjedhë tjetër dhe Milan duhet të mbrohet me shumë forca duke sakrifikuar sulmin. Një ish-lojtar i Milan, Andrea Bertolacci, kishte një mundësi të mirë në minutën e 56’ por goditja e tij shkon jashtë.

Milan merr kurajë dhe mundohet të kundërsulmojë me më shumë lojtarë teksa në fushë futet edhe ish-i tjetër Lapadula. Mundësia më e mirë e Milan vjen në minutën  76’ kur Kalinic tregohet amator brenda zonës duke lënë topin të rrëshqasë nga këmba pas një asisti fantastik të Suso. Minutat e fundit flasin vetëm për Milan, por vendasit nuk arrijnë t’i shfrytëzojnë siç duhet mundësitë e krijuara.

Roma ka kaluar një tjetër kundërshtar të vështirë në Serie A, këtë herë Torinon. Ishte një sfidë tepër e fortë pa shumë mundësi goli nga të dyja anët me lojën që ishte përqendruar në mesin e fushës. Por një gol nga distanca i Kolarov ka mjaftuar për të besuarit e Di Francesco-s.

Serbi ka treguar edhe njëherë aftësitë e tij nga goditjet standarde me të majtën e tij vdekjeprurëse. Tashmë Roma kalon në vend të pestë me fitoren e gjashtë në tetë ndeshje teksa Torino mbetet në mesin e tabelës pas një ndeshje që kanë menduar se nuk do ta humbnin.