SPORT, 22 Tetor 2017, 13:50

Shqipëria U-17 e pafat, Spanja e ndëshkon në fund!

Shqipëria U-17 e pafat, Spanja e ndëshkon në fund!

Shqipëria U-17 nuk arrin ta ndalë Spanjën në raundit e dytë të ndeshjeve paraelimantore të Europianit, që po zhvillohen në vendin tonë. Skuadra e Xhemal Mustedanagic rezistoi për 76 minuta, por më pas u ndëshkua nga Touazi, duke humbur 0-1 me përfaqësuesen iberike të kësaj grupmoshe.

Pavarësisht se kishin përballë një kundërshtar shumë të fortë, “kuqezinjtë” e vegjël treguan një nivel të lartë loje, duke u mbrojtur shumë mirë, por pa hequr dorë nga sulmet, edhe pse ishte shumë e vështirë për të ndëshkuar Spanjën. Spikati në këtë sfidë Bozhanaj, që iu afrua golit në minutën e 71-të.

Atëherë kur mendohej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, një shpërqendrim i momentit, katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt, rezultoi fatal për Shqipërinë U-17, sikurse ndodhi edhe ndaj Kroacisë. Me zero pikë në dy ndeshjet ndaj Kroacisë dhe Spanjës kuqezinjtë nuk kanë më asnjë mundsi matematike për t’u kualifikuar në “Elite Round”.