SPORT, 9 Nëntor 2017, 11:43

Mediat italiane: Juventusi sheh Strakoshën si pasardhës të Bufon

Thomas Strakosha ka përfunduar në radarët e Juventusit dhe tashmë ky nuk duket vetëm si thashethemi i zakonshëm që shoqëron futbollistët në Itali sapo ndonjë prej tyre fillon të paraqitet në nivele të larta. Bardhezinjtë kërkojnë një pasardhës për Bufon, duke synuar të ndërtojnë një cikël të mriëfilltë me emrin e ri dhe portieri i Lacios dhe përfaqësueses shqiptare, është një prej atyre që janë piketuar nga drejtuesit e klubit.

E përditshmja sportive torineze “Tuttosport”, ka përpiluar sot listën me objektivat e merkatos të Juventusit për janarin dhe verën e ardhshme. Lista është e përbërë nga 50 emra që monitorohen pasi mes tyre do të përzgjidhen ata që do të jenë blerjet më të reja të klubit italian.

Sa u përket portierëve, situata është shumë e thjeshtë. Polaku Vojçeç Shçzesnji është planifikuar të jetë pasardhësi i Bufon, por për momentin ai duket se nuk bind stafin drejtues. Për këtë arsye, Marota dhe Paratiçi kanë vënë nën vëzhgim disa emra të tjerë për katërkëndorin. Strakosha gjendet në këtë listë përkrah Meret të Udinezes, Kepa të Atletik Bilbao dhe Oblak të Atletiko Madrid.

Këta janë emrat që Juventus po monitoron për momentin dhe në rast se Shçzesnji do të vazhdojë të mos bëjë diferencën në ndeshjet ku do të zëvendësojë Bufon gjatë këtij sezoni, një prej tyre do të kthehet në objektivin kryesor të merkatos së verës.