TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka zgjedhur si avokat ish-zëvendësministrin e Drejtësisë, Artan Hajdarin, një nga dy themeluesit e një prej studiove me të mëdha ligjore në Shqipëri, “Haxhia & Hajdari”, në të cilën themelues është edhe ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Maksim Haxhia.
Po cili është Artan Hajdari?
Referuar edhe jetëshkrimit të tij të pasqyruar në faqen zyrtare të studios ligjore, Hajdari ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Juridik të Tiranës në vitin 1991 dhe menjëherë është emëruar gjyqtar ne Gjykatën e Rrethi Fier, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në fund të vitit 1993.
Gjatë kësaj periudhe ka drejtuar Gjykatën e Fierit duke u emëruar si kryetar i saj. Në Nëntor të vitit 1993 emërohet Gjyqtar dhe Kryetar i Gjykatës së Apelit Vlorë, detyrë të cilën e ka kryer deri në Qershor të vitit 1994. Nga kjo kohë deri në Shkurt 1997 ka ushtruar detyrën Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Vlorë.
Më pas emërohet me detyrën e Zv. Ministrit të Drejtësisë (Shkurt 1997) detyrë në të cilën qëndroi deri në Tetor të vitit 1998. Prej kësaj kohë e deri më sot ushtron profesionin e avokatit dhe është anëtar për të disatën herë i Komitetit Drejtues të Dhomës Kombëtarë të Avokatisë dhe njëkohësisht edhe themelues i Zyrës së Avokatisë HAXHIA & HAJDARI.
Hajdari ka kryer një sërë specializimesh si në Itali, SHBA, etj dhe një sërë trajnimesh profesionale në vende të ndryshme në fushën e së drejtës.
Prej vitit 1999 emërohet si pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës dhe njëkohësisht ekspert trajnues, në lëndën e së Drejtës Civile dhe të së Drejtës Tregtare.
Prej shkurtit të vitit 2009 emërohet pedagog brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, në lëndën e së Drejtës Civile. Ka qenë anëtar i Komisionit të Reformës ligjore pranë Ministrisë së Drejtësisë (2003 -2006).
Anëtar i disa bordeve në institucione dhe organizata jo fitimprurëse. Si Bordi i Drejtësisë dhe Bordi ekzekutiv i Fondacionit Soros (1999 – 2003), Bordi i Instituti të Studimeve Ndërkombëtare (prej 2010) etj.
Ka marrë pjesë në një sërë konferencash shkencore si referues brenda dhe jashtë vendit. Është autor i një sërë artikujsh shkencorë në fushën e së drejtës.
Interesant është fakti se, avokat Artan Hajdari është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Hajdari është i martuar me dy fëmijë, flet rrjedhshëm anglisht dhe italisht. (d.f/Tpz.al)
