AKTUALITET, 20 Tetor 2017, 20:29

Çështja “Tahiri” dhe beteja në Facebook e dy kryeministrave

Asnjëherë me parë një çështje  - në rastin konkret, ajo “Tahiri” – nuk ka tërhequr një vëmendje kaq të madhe mediatike në Shqipëri: lidhje direkt në televizion; reporterë gazetash në vendngjarje, portale që raportojnë me një ritëm të jashtëzakonshëm për çdo “update”, politikanë të niveleve të ndryshme që shkruajnë pa pushim statuse në rrjetin social Facebook, të cilat sakaq publikohen për t’u qenë të aksesueshëm nga lexuesit online.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me të paktën katër akuza dhe me dy nene të Kodit Penal të shkelura, që mund ta rrezikojnë atë të shkojë atë pas hekurave me një dënim të pritshëm nga 10 deri në 27 vjet burg.

Është i pari ministër i Brendshëm që akuzohet si tutor dhe me lidhje të drejtpërdrejtë me një grup trafikantësh, të cilët vetëm në muajt e fundit kanë trafikuar në Itali 3.5 tonë kanabis me një vlerë prej 20 milionë eurosh.

Por, ajo që është interesante në çështjen “Tahiri” është “beteja” përmes rrjetit social midis dy njerëzve më të fuqishëm politikë të Shqipërisë: kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Të dy e njohin mirë fuqinë dhe dobinë që ka rrjeti më i fuqishëm social – sipas statistikave, Shqipëria me një popullsi të regjistruar 2.9 milionë banorë ka 1.4 milionë përdorues të Facebook – duke publikuar vazhdimisht statuse, të bindur se ato do të përcillen menjëherë nga masmedia, pavarësisht kahut dhe qëndrimit që ka ajo dhe do të shkojnë te “muret” e përdoruesve të rrjetit.

Janë dy mjeshtër të populizmit dhe demagogjisë tashmë përmes internetit. Rama ka qenë edhe përdorues më i hershëm i cicërimave të “Twitter”, ndërsa Berisha është i “dashuruar” vetëm me “Facebook”-un dhe shpikësi i një serie të gjatë personazhesh dixhitale: “qytetari dixhital”, “polici dixhital”, “doganieri dixhital”, etj.

Socialisti Rama është politikani më i ndjekur në Facebook me 1,127,593 pëlqyes, ndërkohë që demokrati Berisha ka 1,068,565 pëlqyes. Automakisht një mesazh i tyre u shkon direkt në “murin” e ekraneve të telefonave apo kompjuterëve atyre pëlqyesve që në total bëjnë jo më pak se 2.2 milionë lexues.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka 581,399 pëlqyes, ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka 65,579 pëlqyes (ish-kryetari Ilir Meta: 10,290 pëlqyes).

Duke parë vetëm postimin e fundit të Ramës: ai u pëlqye nga mbi 5200 ndjekës, 937 komente (pozitive dhe negative) dhe u shpërnda 57 herë, ndërsa ai Berishës u pëlqye nga 702 pëlqyes dhe pati 44 komente.

Por nëse sot, Rama postoi vetëm një koment në lidhje me çështjen “Tahiri”, Berisha postoi gjashtë komente, duke qenë një pikë referimi për të gjitha portalet në internet, që në total bëjnë më shumë se 5700 pëlqyes e duke qenë kryelajmi i herëpashershëm. Loja në “Facebook” vazhdon!

(d.f/Tpz.al)