AKTUALITET, 20 Tetor 2017, 19:20

Kë po kërcënon Saimir Tahiri?

Kë po kërcënon Saimir Tahiri?

Pas kërkesës që prokuroria i bëri, Këshillit të Mandateve, për dhënien e autorizimit, për arrestimin dhe kontrollin e banesës, Saimir Tahiri, ka huazuar dhe po përdor dendurisht një frazë të njohur të Edi Ramës. “Prisni se nuk keni parë gje akoma!”

E vendosur në gojën e ish-ministrit të brendshëm, që nga çasti në çast rrezikon prangat, togëfjalëshi i shpikur nga Edi Rama, merr një kuptim krejt tjetër.

Është e qartë se Saimir Tahiri po kërcënon. Duket njëkohësisht, se kërcënimi është mjaft real.

Shqipëria është një vend, ku bota e krimit të nëndheshëm, por edhe të mbidheshëm, është sunduese. Një ish-ministër i brendshëm, 4 vjet në detyrë, di shumë dhe nëse ai flet, ky vend mund të bjerë erë.

24 orë më parë, në një emision televiziv, Tahiri foli jo me pak mllef kundër ambasadorëve, pa i përmendur ata me emra, por duke nënkuptuar së pari, ambasadorin amerikan Lu. Duket qartë se ai e konsideron ambasadorin Lu, si shkaktar të rëndësishëm të gjendjes ku ka rënë. Ky zemërim i Tahirit u shfaq qartë, por sigurisht që me frazën e vjedhur nga Rama, ai nuk është duke kërcënuar ambasadorin Lu.

Shumë njerëz ,mendojnë se Saimir Tahiri, me togëfjalëshin e Ramës, po kërcënon vetë Ramën. Gjithsesi ky arsyetim nuk duket edhe aq i vërtetë. Kjo sepse, Saimir Tahiri, është një prodhim tipik “alla Rama” por jo i atij formati, si monstra e “Frankeinshtajnit” që të guxojë të vrasë krijuesin e vet.

Sigurisht që Rama dhe Tahiri dinë gjithçka për njëri tjetrin. Dinë aq sa mund ta vrasin njëri tjetrin dhe ky është shkaku që Tahiri nuk është duke kërcënuar Ramën. Aq më tepër që ai nuk duket në kushte të tilla, që të mendojë “pas meje qameti”. Çdo përpjekje e Tahirit për të goditur të vetët dhe sidomos Ramën, do të kishte një kosto shkatërruese për të.

24 orë më parë, në emisionin “Të Paekspozuarit”, Koço Kokëdhima, njohës i mirë dhe ish miku i Edi Ramës, e këshilloi publikisht Saimir Tahirin, që të ruante kokën dhe fjala ishte, që ai duhet ta ruante kokën nga Edi Rama.

Dyshimi më i madh, është se Saimir Tahiri po kërcënon armikun e tij të betuar, Ilir Metën. I rrëzuar nga detyra e ministrit të brendshëm nga Ilir Meta, i goditur dhe anatemuar prej grupit të tij, Saimir Tahiri duket tani, plotësisht i çliruar për të thënë të gjitha ato që di për Ilir Metën.

I mbyturi, të mbyt, thotë një fjalë e urtë popullore dhe në këto momente, duket se të gjithë kanë frikë nga Tahiri. Ish ministri i brendshëm, në një nga kohët më të korruptuara të këtij vendi, di shumë për të gjithë. Ndoshta ky eshtë shkaku, që të vetët e ndërruan trajektoren dhe po e mbrojnë orët e fundit.

/TPZ.AL/