AKTUALITET, 23 Tetor 2017, 13:49

Haki Çako në Amerikë për konferencë, jo për takime me zyrtarë të lartë

Haki Çako në Amerikë për konferencë, jo për

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikë.  Vizita e tij në SHBA, vjen në një kohë kur në Tiranë po zhvillohen hetime për ish Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për implikim në të ashtuquajturën “Dosja e Habilajve”.

Drejtori i Përgjithshëm Çako po merr pjesë në konferencë të organizuar nga një shoqatë e pavarur, pa lidhje me strukturat shtetërore, Shoqata ndërkombëtare e Shefave të Policisë. Tema kryesore e konferencës ishte “Komuniteti juaj, Siguria juaj, Ndikimi juaj, Prioriteti Ynë”.

Për t’i dhënë rëndësi vizitës së tij në Amerikë, Zoti Çako publikoi një foto me Drejtorin e Operacioneve të Hetimit Ndërkombëtar në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve Raymond Villanueva, të bërë në ambientet ku po zhvillohet konferenca.

Media pranë qeverisë e përshkruan takimin mes Çakos dhe Villanuevas si të një rëndësie të veçantë për bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të tilla si siguria kibernetike, emigracioni i paligjshëm dhe hetimi i krimit financiar.

Ndërkohë, deputetë të opozitës kanë akuzuar disa herë, drejtuesin më të lartë të Policisë së Shtetit, Çakon, se edhe ky është i përfshirë në skandalin e trafikimit të drogës, nga klani i Habilajve. Madje, opozita pretendon se emri i Çakos është lakuar disa herë nga Habilajt, për lehtësim në trafikun e drogës.

Por mesa duket, vizita e tij në SHBA ka ngritur pikëpyetje të mëdha. Nga njëra anë, nëse Çako do të ishte i implikuar në trafikun e drogës, minimalisht nuk do të ishte lejuar të hynte në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa zëra të tjerë qarkullojnë, se Haki Çako, mund të ketë qënë personi kyç, i cili ka ndihmuar autoritetet italiane në arrestimin e Habilajve, dhe për pasojë ka “tradhëtuar” ish Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Haki Çako, njihet si një nga të preferuarit por edhe të besuarit e kryeministrit Edi Rama. Ministri aktual i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar disa herë me ngulm shkarkimin e tij, por kjo nuk është aprovuar në asnjë rast nga kryeministri Rama./TPZ.AL/