AKTUALITET, 14 Dhjetor 2017, 17:57

“Green Border”, arrestohen dy policë në Gjirokastër për shpërdorim detyre

“Green Border”, arrestohen dy policë në Gjirokastër

Dy punonjës policie të kufirit dhe një shtetas kanë rënë në pranga, pas finalizimi të operacionit “Green border”.

Shërbimi për Çëshjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) i akuzon për për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

U arrestuan në flagrancë: Timo Ciko, 50 vjeç, shef i ruajtjes së kufirit të gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër; - Bledar Duçka, 43 vjeç, trup shërbimi për kufirin e gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër dhe shtetasi Shpëtim Brakaj, 41 vjeç, nga Fieri.

Kundrejt pagesave që varionin nga 300 deri në 400 euro për çdo person, të siguruar nga shtetasi Brakaj, punonjësit e Policisë në vijën kufitare, siguronin kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.

Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi euro, lekë, dollar, telefona celularë dhe një automjet.

Operacioni u bë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

TPZ.AL