AKTUALITET, 20 Prill 2018, 14:05

Gjykata tërhiqet për vendim, nuk pranon si provë materialet filmike

Gjykata e Apelit në Shkodër shqyrton sot masat e sigurisë për 11 protestuesit në Rrugën e Kombit që u mbajtën në burg. Rreth orës 14:45 trupa është tërhequr për vendim.

Policia ka marrë masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen normale të kësaj seance.

Sot zhvillohet seanca e ankimimit për 23 masat e sigurisë që ka dhënë Gjykata e Kukësit për protestuesit e Rrugës së Kombit. 11 protestues janë lënë në arrest me burg, 10 në detyrim paraqitjeje dhe 2 në arrest shtëpie.

Gjykata nuk pranon si prove materialet filmike

Gjykata nuk ka pranuar si prove ne proces, materialet filmike te bera gjate arrestimit te protestuesve. Trupa gjykuese ka theksuar se nuk mund te pranohen si prove mapjet e marra nga mediat. Avokatet kane theksuar se nuk kane pasur mundësi qe t’i binin publike ne gjykate me herët.

Hidhet tymuese pranë Drejtoritë të Policisë Shkodër

Seanca e sotme gjyqësore ku Apeli pritet të japë vendimin për 11 kuksianët e arrestuar gjatë protestës në rrugën e Kombit është shoqëruar edhe me protestën e qytetarëve.

Jashtë ambienteve të gjykatës janë hedhur disa tymuesëse, dhe një prej tyre është hedhur edhe shumë pranë vendit ku qëndronte Drejtori i Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati.

Kujtojmë që për të ruajtur rendin dhe sigurinë në Shkodër janë grumbulluar rreth 150 forca policore.

Salianji poston video të kuksianëve me pranga në duar

Deputeti i Partisë Demokratike  ndodhet në ambientet e brendshme të gjykatës, dhe ka postuar një video ku duket 11 të arrestuarit që po qëndrojnë në sallën e gjyqit me pranga në duar.

Në postimin e tij Salianji shkruan: 11 bij nënash të vuajtur që luftojnë për mbijetesë në burg, qindra maskarenj që shkatërrojnë Shqipërinë dhe qytetarët bëjnë moral me miliona Euro në xhep dhe me jetët e shqiptarëve në shpinë!

Nis gjyqi për rivlerësimin e masës për 23 kuksianët

Ka nisur gjyqi për rivlerësimin e masës për 23 kuksianët e arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit, ku 11 prej tyre janë  nën masën arrest me burg ndërsa të tjerët janë në arrest shtëpie ose detyrim paraqitje.

“Poshtë Xhafaj dhe Tahiri”, protestuesit mblidhen pranë Gjykatës në Shkodër, hedhin tymuese

Ka nisur grumbullimi i protestuesve pranë Gjykatës së Apelit në Shkodër. Po ashtu dhe disa deputetë të Partisë Demokratike.

Në Shkodër kanë mbërritur  deputetët Edmon Spaho, Albana Vokshi, Dashamir Shehi dhe Izmira Ulqinaku por dhe deputet të LSI, Nora Malaj dhe Kejdi Mehmetaj.

Protestuesit kanë nisur thirrje në kor, “lironi vllezërit tanë”, por kanë hedhur dhe tymuese.

“Poshtë Fatmir Xhafaj, poshtë banditi Saimir Tahiri”, kanë thënë sisa protestues të tjerë.

 Masa të rrepta sigurie në Shkodër, policia rrethon gjykatën

Kur kanë mbetur vetëm pak minuta nga nisja e seancës në Gjykatën e Shkodrës, Policia ka rrethuar të gjithë zonën.

Në orën 11:00, në Gjykatën e Apelit në Shkodër, do të zhvillohet seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë për 11 kuksianët e arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.

Edhe këtë herë policia ka marrë pasa të rrepta sigurie, pasi është njoftuar dhe zhvillimi i një proteste në mbështetje të kuksianëve të arrestuar.

11 protestuesit e arrestuar

Shpëtim Toda

Xhevahir Hereni

Elton Cengu

Florin Onuzi

Shkëlqim Vata

Xhevahir Gashi

Ervis Ruçi

Rasim Onuzi

Vasil Laçi

Abdi Haziri

Edmond Matmuja

Do të tensionohet sot situata në Shkodër? Deputetët e PD vendosin që…

Deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike do të jenë ditën e sotme prezentë në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ku janë ankimuar 23 masat e sigurisë dhënë nga Gjykata për protestuesit e Rrugës së Kombit.

Këtë e ka konfirmuar edhe deputeti demokrat nga Qarku i Shkodrës, Bardh Spahia.

“Nderi dhe tradita e Shkodrës e don që të jemi sa më shumë dhe të reagojmë sa më fort në mbështetje të tyre dhe kundër gjyqeve politike, të cilat na kujtojnë kohët më të errëta të Shqipërisë dhe me të cilat Shkodra dhe shkodranët nuk janë pajtuar as gjatë diktaturës më të egër. I gjithë Grupi Parlamentar i PD-së do jetë aty. Sytë, mendja dhe zemra e çdo demokrati kudo ku ndodhet nesër do jenë në Shkodër. Le të jemi sa më shumë nesër (sot) në orën 10:00 te Gjykata e Apelit”, shkruan Spahia në një status në rrjetin social “Facebook”.

Ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit të Shkodrës do të zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj 23 protestuesve. Avokatët e tyre mbrojtës kanë apeluar vendimin e Shkallës së Parë të Kukësit që la në burg 11 protestues, 10 në detyrim paraqitjeje dhe 2 në arrest shtëpie.

Seanca e mëparshme u zhvillua në Gjykatën e Tiranës për çështje sigurie. Ajo zgjati rreth 3 orë dhe u shoqërua me tensione brenda gjykatës, ku pati përplasje mes policisë dhe deputetëve të PD-së. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë pati angazhuar rreth 1 mijë policë për mbarëvajtjen e seancës.

Shpallja e vendimit u bë me praninë e gazetarëve, deputetëve të opozitës që ishin në sallë, si edhe me praninë e disa familjarëve të të arrestuarve. Pasi lexoi vendimin gjyqtarja Alma Ahmeti, disa deputetë të opozitës thirrën ndaj gjyqtares: “Turp, turp!”, ndërsa një prej deputeteve e cilësoi gjyqtaren “palaço”.

Sipas vendimit u lanë në burg: Xhevahir Hereni, Elton Cenku, Florin Onuzi, Shkëlqim Vata, Xhevahir Gashi dhe Elvis Oruçi, Rasim Onuzi, Abdi Haziraj dhe Vasil Laçi, Edmond Matmuja dhe 20 ditë burg për Shpëtim Totën.

Gjykata vendosi detyrim paraqitjeje për Ahmet Toblin, Lulzim Popën, Saimir Trotën, Lefter Rexhmatin, Adem Durakun dhe Armand Ademin, Ardit Alidinin, Zenel Matmujan, Fatos Harullën, Rasim Koloshin dhe arrest shtëpie për: Shaban Selmanin dhe Shemsi Trotën.

Sot zhvillohet seanca e ankimimit për 23 masat e sigurisë që ka dhënë Gjykata e Kukësit për protestuesit e Rrugës së Kombit. 11 protestues janë lënë në arrest me burg, 10 në detyrim paraqitjeje dhe 2 në arrest shtëpie.