AKTUALITET, 14 September 2026, 16:10

Kërcënohet me vdekje gazetari Osman Stafa, SafeJournalists: Autoritetet shqiptare të nisin hetimet urgjentisht

Organizata SafeJournalists ka reaguar pas kërcënimit me vdekje ndaj gazetarit Osman Stafa, duke kërkuar hetim të menjëhershëm të rastit nga autoritetet shqiptare.

Në reagimin e saj, organizata e konsideron situatën serioze dhe thekson nevojën që institucionet përgjegjëse të identifikojnë dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorin ose autorët e kërcënimit.

SafeJournalists kërkon që kërcënimet ndaj gazetarëve të mos neglizhohen dhe që siguria e profesionistëve të medias të garantohet, veçanërisht në rastet kur ndaj tyre përdoren kërcënime të drejtpërdrejta.

Ngjarja ka ngritur shqetësim për sigurinë e gazetarëve dhe klimën në të cilën zhvillohet aktiviteti mediatik në Shqipëri.