IDE, 12 September 2026, 12:06

John Goci konkurron Donald Trump, sa do të shkojë ankandi?

Ka disa gjëra në jetë që njeriu nuk duhet t’i refuzojë: një kafe, kur ta ofrojnë. Një darkë, kur e paguan tjetri. Dhe pesë mijë dollarë, kur t’i premton Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Donald Trump në konventën republikane në Dallas, premtoi se, nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit dhe mbajnë kontrollin e Kongresit, çdo i rritur amerikan do të marrë 5 mijë dollarë.

Pesë mijë dollarë nuk janë pak. Janë aq sa për ta bërë një amerikan të harrojë për disa minuta inflacionin, deficitin, borxhin publik dhe të gjitha ato gjëra që ekonomistët i përmendin zakonisht kur politikanët fillojnë të shpërndajnë para.

Trump i ka vënë edhe emër: “Trump Dividend”. Emri është shumë i rëndësishëm. Kur thua “1.2 trilionë dollarë shpenzime të reja federale”, njerëzit shqetësohen. Kur thua “Trump Dividend”, njerëzit fillojnë të mendojnë se ku do t’i shpenzojnë pesë mijë dollarët, sepse kanë bindjen se Trump nuk do t’i marrë ato para nga taksat e tyre, por do t’i marrë nga llogaria e vet personale dhe do t’ia japë popullit.

Amerika, për fat të keq, nuk ka 1.2 trilionë dollarë të tepërt në kasafortë. Përkundrazi, borxhi federal ka kaluar 40 trilionë dollarë. Por kjo është një hollësi ekonomike, por këto dalin gjithmonë pasi mbarojnë mitingjet.

Në një familje normale, po të kesh borxhe deri në grykë dhe t’u thuash fëmijëve se do t’u japësh nga pesë mijë dollarë, ata mund të gëzohen. Siç mund të gëzohen edhe disa votues. Problemi i vetëm është se, kur ua ke premtuar këtë disa herë dhe nuk ua ke dhënë, atëherë fëmijët fillojnë të të quajnë gënjeshtar dhe të mos të të besojnë më. Por ne shpesh harrojmë se në fushata elektorale e gjitha kjo quhet politikë. Dhe politika e sotme po kthehet më shumë si një ankand.

Dhe Donald Trump sapo ngriti tabelën: Pesë mijë!

Pastaj nga Michigan doli shqiptari John Goci nga Michigani, që kandidon për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky, megjithëse nuk është fare në fletën e votimit, vazhdon fushatën “write-in”, që do të thotë se njerëzit duhet të shkruajnë emrin e tij në fletën e votimit në vend që të votojnë për kandidatët zyrtarë.

Nuk e dimë sa seriozisht e ka Goci propozimin e tij. Ndoshta e ka shumë seriozisht. Ndoshta ka bërë llogaritë. Ndoshta ka një plan që ne ende nuk e njohim. Por përshtypja e parë është se Goci ka parë pesë mijë dollarët e Trumpit dhe ka vendosur ta çojë idenë deri aty ku të çon logjika e një ankandi elektoral: Dhjetë mijë!

Në posterin e tij shkruhet qartë: Nëse John Goci fiton, do të propozojë dhe Kongresi do ta votojë që të jepen 10,000 dollarë për çdo të rritur amerikan. Dhe, me dashje apo pa dashje, Goci ka hyre ne garen e premtimeve  me presidentin amerikan. Dhe nga çasti kur hyn në këtë rrugë, problemi nuk është më se sa mund të paguajë Amerika. Zotesia tregohet se kush guxon të premtojë më shumë.

Po pse dhjetë mijë? Njëzet mijë janë, pa dyshim, më mirë se dhjetë mijë. Pesëdhjetë mijë janë edhe më mirë se njëzet mijë. Njëqind mijë do të ishin fantastike. Dhe aq më tepër që paratë nuk i ke nga të shtëpisë sate dhe që nuk janë as në bankë.

Nga këndvështrimi i personit që merr paratë, ky është një premtim i jashtëzakonshëm.

Vështirësitë fillojnë vetëm për personin që duhet t’i paguajë.

Prandaj, pas Gocit, pres me interes kandidatin tjetër. Ai mund të dalë nesër dhe të thotë: Unë jap 20 mijë dollarë për çdo amerikan.

Pastaj mund të vijë tjetri me 30 mijë. Një tjetër me 50 mijë. Dhe, nëse fushata zgjat edhe pak, mund të mbërrijmë në ditën e zgjedhjeve me një popull prej milionerësh, të paktën në posterat elektoralë.

Askush nuk ka nevojë t’i ketë paratë në xhep për t’i premtuar.

Në një ankand të zakonshëm, kur thua “dhjetë mijë!”, duhet t’i kesh dhjetë mijë dollarët. Në ankandin politik lejohet çdo gjë. Ti thua “dhjetë mijë!”, votuesi gëzohet, Kongresi duhet ta miratojë dhe Thesari duhet të gjejë paratë. Dhe, nëse nuk i gjen, punë e madhe. Votat që kishin rëndësi i ke marrë.

Borxhi amerikan, mbi 40 trilionë dollarë, nuk flet në mitingje. Nuk mban pankarta. Nuk kandidon. Nuk ankohet. Vetëm rritet.

Ndoshta prandaj askush nuk shqetësohet shumë për të.

Pesë mijë dollarët e Trumpit, përkundrazi, mund t’i imagjinosh menjëherë në llogarinë bankare.

Dyzet trilionët janë tepër të mëdhenj për t’i imagjinuar. Dhe njerëzit, përgjithësisht, shqetësohen më shumë për pesë mijë dollarët që mund të marrin sesa për 40 trilionët që ua kanë borxh.

Kështu politika amerikane ka hyrë, me sa duket, në një fazë të re. Dikur kandidatët konkurronin se kush do të ulte taksat, kush do të shkurtonte deficitin, kush do të krijonte më shumë vende pune. Tani është më e thjeshtë: premtojmë para cash!

Dhe, nëse dikush pyet se kush do t’i paguajë, përgjigjja mund të jepet pas zgjedhjeve. Ky është avantazhi i madh i ankandit elektoral ndaj ankandit të zakonshëm. Por një pyetje nuk po i jepnin përgjigje disa amerikanë që po diskutonin me zjarr në një McDonald’s, me nga një hamburger përpara: Nëse këto para janë diku dhe popullit amerikan i duhen dhe i meriton t’i marrë shpërblim, pse të mos ia japin edhe nëse i humbet zgjedhjet?