SPORT, 29 Tetor 2017, 21:21

Dovizioso triumfon në Sepang, titulli në Moto GP vendoset në Valencia

Andrea Dovizioso me Ducati fitoi mëngjesin e sotëm garën e Çmimit të Madh të Malajzisë në Moto GP, garë e zhvilluar në pistën e Sepang. Falë këtij suksesi dhe vendit të katërt të arritur nga kryesuesi i Botërorit, Marc Marquez (Honda), gjithçka për sa i përket titullit kampion mbetet ende e hapur. Kampioni i vitit 2017 do të përcaktohet pas dy javësh, në Valencia, në garën e fundit sezonale, me Marquez që ka 21 pikë avantazh karshi Dovizioso. Në podium u ngjitën sot bashkë me pilotin italian edhe Jorge Lorenzo me motorin tjetër Ducati si dhe francezi Johann Zarco me Yamaha.

Gara, ndryshe nga provat zyrtare 24 orë më parë, u zhvillua në një pistë të lagur, ndaj pilotët hasën mjaft vështirësi, sidomos ata të Yamaha, me Rossi e Vinales që asnjëherë nuk ishin në gjendje të duelonin për fitore. Ndryshe nga Ducati e Honda, që u përshtatën më mirë me këtë terren dhe dueluan mes tyre për titull gjatë gjithë kohës. Gara bëhet interesante që në start, me Marquez që niset mirë dhe fiton disa pozicione (u nisi  shtati), duke nisur një duel të fortë me Dovizioso, të cilin e parakalon në kthesat e para. Në duel hyjnë edhe Lorenzo e Pedrosa, në një ditë të mirë dhe që ndikojnë mjaft në rezultatin përfundimtar.

Pas mesit të garës, vetëm 5 pilotë duelojnë për fitore, teksa mes dy pilotëve të Ducati e Honda hyn edhe Zarco, që në fund do të renditet i treti. Dovizioso arrin të parakalojë Marquez, por mbetet pas shokut të tij të skuadrës Lorenzo, që është i shpejtë dhe qëndron gjatë në krye. Por, 4 xhiro nga fundi, spanjolli i Ducati merr keq një kthesë dhe parakalohet nga shoku i skuadrës Dovizioso (ndoshta janë edhe urdhëra skuadre për t’i hapur krahun), që merr kreun dhe fiton garën. Marquez renditet i katërti, menaxhon avantazhin e pikëve në renditje dhe pret garën e fundit për t’u kurorëzuar kampion. Sot Rossi u rendit i shtati dhe Vinales i 9-ti, në një garë anonime dhe pa grintë për pilotët e Yamaha.

TPZ.AL