AKTUALITET, 12 Mars 2019, 12:30

DOKUMENTI/ Kërkoi rrëzimin e Ramës, kush është ‘tradhtari’ i PD. Nga dënimi me burg te kurimi nga qeveria

Ish-deputeti i PD-së, Alban Zeneli, i renditur i treti në listën shumemërore të kandidatëve të PD-së në Qarkun e Kukësit, ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, duke i hapur rrugë hyrjes në Parlament.

Vendimmarrja, që nuk është e para në radhët e opozitës, ndryshe nga rastet e tjera ka befasuar dhe ka gjetur të papërgatitur edhe drejtuesit më të lartë të PD-së. Befasia për këtë vendim të ish-deputetit të PD-së lidhet si me funksionet që Zeneli ka ushtruar gjatë qeverisjes së PD-së, por edhe me qëndrimin publik që ai mbajti në protestën e një jave më parë përpara Parlamentit.

 

Më 6 mars, kur maxhoranca zhvillonte seancë plenare dhe Parlamenti ishte i rrethuar me mijëra forca policie, Alban Zeneli u ngjit në podiumin e protestës dhe u tha qytetarëve se mandati nuk ishte personal, por i qytetarëve të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, që votuan Partinë Demokratike.

Denim-Alban-Zeneli1

“Edi Rama, Qarkut të Kukësit i solli vetëm mjerim, varfëri dhe emigrim. Mandati nuk është i yni, por i qytetarëve të Kukësit, Tropojës, Hasit, qytetarëve që votuan PD-në”, tha Zeneli në protestë, ndërkohë që paraditen e së hënës dorëzoi formularin e dekriminalizimit për të marrë mandatin e dorëzuar nga ish-deputeti Flamur Noka. Të kontaktuar nga “Panorama”, drejtuesi i listës së deputetëve të PD-së në Kukës, Flamur Noka dhe kreu i PDsë së Kukësit, Arif Rexhmati, theksojnë se kanë mbetur pa fjalë nga ky vendim i kolegut të tyre. “Panorama” ka kërkuar një prononcim edhe nga vetë Zeneli, por nga momenti i dorëzimit të formularit të dekriminalizmit në KQZ, telefoni i tij rezulton i fikur.

Denim-Alban-Zeneli

KARRIERA

Gjatë qeverisjes së PD-së, Alban Zeneli ka mbajtur detyrën e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe këshilltarit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit. Gjatë viteve 2013-2017, Zeneli është zgjedhur deputet në Qarkun e Kukësit. Në Kuvend, ish-deputeti i PD-së ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, kjo edhe për shkak të formimit të tij. Në CV-në e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Zeneli deklaron se ka kryer arsimin e lartë dhe master në fushën e Sigurisë.

Ndërkohë, në formularin e dekriminalizmit Zeneli pranon se është dënuar dy herë me vendime gjyqësore të shkallës së prerë. Në gusht të vitit 1992, Zeneli është dënuar me 6 muaj heqje lirie për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Zeneli është dënuar me vendim të formës së prerë edhe në vitin 1996 me 30.000 lekë gjobë, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe prishje të qetësisë publike.

KURIMI

Në vitin 2015, deputeti i PD-së, Alban Zeneli, u përball me një sëmundje të rëndë, për të cilën u kurua jashtë vendit. Njësoj si në rastin e të tjerë deputetëve, qeveria ‘Rama’ vendosi të mbulojë shpenzimet e ligjvënësit demokrat. “Sipas VKM-së nr.711 datë 26.8.2015, është miratuar fondi në masën 4 000 000 (katër milionë) lekë të rinj për kurimin e deputetit të Partisë Demokratike në Qarkun e Kukësit.

Sipas vendimit, ky fond do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave origjinale përkatëse të institucionit të mjekimit”, thuhej në Vendimin e Këshillit të Ministrave në vitin 2015./PANORAMA

Alban-Zeneli-Kurimi=VKM