AKTUALITET, 12 Mars 2019, 10:32

VIDEO/ Si u grabit biznesmeni, kamerat zbuluan 2 “miqtë”. Njëri i mbajti gruan me muhabet dhe …

VIDEO/ Si u grabit biznesmeni, kamerat zbuluan 2 “miqtë”.

Vodhën 2 milionë lekë të reja në banesën e biznesmenit, kamerat e sigurisë zbulojnë dy “miqtë”.

Dy persona të dyshuar se kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash nga kasaforta në banesën e një biznesmeni në fshatin Hoxhaj të Elbasanit, janë vënë në pranga 24 orë pas ngjarjes. Autorët ishin miq të pronarit të një pike karburanti në aksin rrugor Elbasan-Peqin.

Ata kishin shkuar me qëllim për ta takuar, por kishin gjetur vetëm bashkëshorten e tij. Njëri prej tyre bisedonte me gruan, ndërsa tjetri ka arritur të gjejë vendin ku ndodhej kasaforta dhe ka marrë prej andej një shumë prej 20 milionë lekësh të vjetra. Dy miqtë e pronarit Meridian Hoxha 30 vjeç dhe Dervish Hoxha 23 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin kanë shkuar te zyra e pikës së karburantit.

Njëri nga autorët e dyshuar ka nisur të bisedojë me bashkëshorten e pronarit, e cila qëndronte në zyrë dhe tjetri ka shkuar në banesën e biznesmenit që është ngjitur me karburantin. Atje ka arritur të marrë nga kasaforta, e cila nuk ka qenë e mbyllur, paratë që biznesmeni kishte xhiruar gjatë një jave.

Pasi kanë përfunduar misionin e tyre, me pretendimin se pronari i karburantit të cilin ato prisnin nuk po vinte, ata janë larguar. Pas rreth dy orësh, pronari ka konstatuar mungesën e parave në kasafortë. Pasi bisedon me bashkëshorten e tij, hedhin dyshimet se dy miqtë dhe njëkohësisht bashkëfshatarët e tyre u kanë vjedhur paratë. Pas kësaj, ata kanë lajmëruar Policinë, e cila ka nisur menjëherë hetimet.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar fillimisht në Komisariat, por kanë pranuar se janë autorë të vjedhjes. Por, me anë të këqyrjes së pamjeve nga kamera e sigurisë që biznesmeni kishte të instaluara në pikën e karburantit është bërë i mundur identifikimi i tyre. “Policia në kohë rekord zbardh ngjarjen, identifikon dhe arreston autorët e dyshuar të vjedhjes së një banese ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, pas një pune të mirorganizuar hetimore dhe pas analizimit të pamjeve filmike e provave të tjera të grumbulluara, bënë kapjen dhe ndalimin me iniciativë të shtetasve: E.H. 30 vjeç dhe D.H. 23 vjeç, banues në Kodras, Peqin.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njërin-tjetrin, mbrëmjen e djeshme kanë vjedhur banesën e shtetasit Z.H., ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale ‘Vjedhja’”, bëhet e ditur nga Policia.

BIZNESMENI

Zija Hoxha, pronari i pikës së karburantit, pasi ka konstatuar mungesën e parave në kasafortë, menjëherë ka shikuar pamjet nga kamerat e sigurisë.

Aty ka vërejtur lëvizjet e dyshimta të dy personave që ishin paraqitur me arsyetimin për ta takuar, por që në fakt qëllimi i tyre ka qenë vjedhja e parave.

Kjo bëri më pas që Policia të vërë menjëherë në pranga dy të dyshuarit./Panorama