TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
U bë një kohë relativisht e gjatë, që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po përgatitet për protestën e caktuar nga opozita në datën 27 Janar. Basha po mundohet të motivojë qytetarët të marrin pjesë në protestë, duke përdorur të gjitha bëmat dhe gjëmat, që qeveria aktuale i ka bërë vendit. Ai po bën thirrje për bashkimin e popullit kundër krimit dhe oligarkisë. Por kur vjen fjala tek kjo e fundit, zoti Basha, ka dëshmuar se nuk është i aftë të artikulojë emrin e asnjërit prej oligarkëve që denoncon. Ai nuk i ka shpjeguar qytetarëve, kundër cilëve oligarkë do të bërtasin ditën e shtunë dhe në bashkëpunim me cilët oligarkë po e qeveris Edi Rama vendin. Nëse kryetari i opozitës, e mbështet kauzën e vet, tek lufta ndaj kapjes së shtetit nga oligarkia, ai nuk mund ta trajtojë oligarkinë, si një fenomen abstrakt, pa drejtuar gishtin tek njerëz konkret dhe lidhjet e tyre konkrete me Edi Ramën.
Basha ka folur për skemat e pastrimit të parave nëpërmjet kullave dhe oligarkëve, por ka marrë rolin e një memeci kur i është kërkuar ti identifikojë ata.
Në një nga debatet e "ashpra", në Kuvend, kryeministri i përmendi Lulzim Bashës, emrat e biznesmenëve më të fuqishëm në vend, duke e pyetur kryetarin e opozitës, nëse ndonjëri prej tyre është oligarku që po pastron paratë e krimit. Basha, në pamundësi për t'iu përgjigjur sfidës së kryeministrit, u shpreh se nuk dëshiron të flasë për emrat por për fenomene.
Edhe gjatë ditës së sotme, kryetari i PD-së, ka postuar një status në faqen e tij në facebook, ku kërkon pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë, për të rrëzuar qeverinë që i shërben krimit dhe oligarkëve.
"Forca e marshimit të madh popullor që do zbresë në Bulevard të shtunën më #27 janar janë njerëzit, janë kauza tyre e drejtë! Të shtunën ne do bashkohemi për hallet dhe padrejtësitë që na mundojnë çdo ditë. Do të bashkohemi për drejtësi të barabartë për të gjithë! Do të bashkohemi kundër qeverisë që ka braktisur njerëzit dhe ju shërben vetëm krimit dhe oligarkëve!"
Ndoshta kryetari i opozitës, duhet të tregohet më i kursyer me përdorimin e fjalës "oligark", për sa kohë ai e ka të pamundur t'i identifikojë publikisht ata. Kryetari i opozitës ka detyrimin të flasë jo vetëm për fenomene, por për abuzime dhe afera konkrete. Nëse e ka të pamundur të tregojë se si oligarkia dhe pushteti e kontrollojnë sëbashku vendin, është qesharake që ai ta mbështesë protestën dhe kauzën e tij, mbi afera dhe persona të cilët ose ka frikë t'i identifikojë, ose pret t'i ketë bashkëpunëtorë sapo të marrë pushtetin.
/TPZ.AL/