AKTUALITET, 24 Janar 2018, 09:42

Nga pagesa e TVSH dhe tatimi i thjeshtuar, 13 taksat dhe tarifat që paguhen nga zyra

Nga pagesa e TVSH dhe tatimi i thjeshtuar, 13 taksat dhe tarifat që paguhen

Shumë shpejt bizneset e tatimpaguesit e tjerë do të mund të bëjnë pagesën e detyrimeve tatimore online.

Janë të paktën 13 lloje detyrimesh që do të mund të paguhen online. Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë listuar pagesa e TVSH-së, tatim-fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat kombëtare, tarifat kombëtare e detyrime të tjera tatimore.

Marrja e dokumenteve dhe pagesa e detyrimeve pa shkuar në zyra, por online do t’i kursejë shumë ore pune bizneseve. Për të ofruar shërbimet që i nevojiten më shumë biznesit, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj pak ditë më parë u ka kërkuar bizneseve që të dërgojnë propozimet e tyre për reformën e derregullimit deri në datën 15 shkurt. Në letrën drejtuar bizneseve, Ahmetaj shkruan se propozimet mund të dërgohen në adresën zyrtare të internetit të ministrisë.

“Propozimet tuaja për procedurat që mund të preken në funksion të thjeshtimit, eliminimit apo ofrimit online si dhe për lejet, licencat dhe autorizimet që konsideroni se përbëjnë mbirregullim të tregut janë më se të mirëpritura për t’u kthyer në një platformë të re dialogu dhe konsultimi mes nesh shumë shpejt në një tryezë të përbashkët” shkruhet në letër ku evidentohet se nga janari do të ketë thjeshtime të tjera procedurash.

Më tej, ministri evidenton se duke nisur nga 1 tetori i vitit të kaluar, janë 13 dokumente që nuk kërkohen më nga qytetarët dhe sipërmarrja për shërbimet që ofrohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Vetëm përmes heqjes së detyrimit për dorëzimin e këtyre dokumenteve nga qytetarët dhe sipërmarrja u kemi kursyer atyre rreth 595 mijë dokumente dhe 56 vite kohë pritje në radhë e sportele vetëm në një vit”- shkruhet në letër.

Qeveria shqiptare ka prezantuar prej muajsh një nga reformat kryesore te mandatit të dytë, me në fokus përmirësimin e shërbimeve publike për biznesin dhe qytetarin, uljen e peshës së burokracisë, thjeshtimin e procedurave, reduktimin e kohës dhe kostove si dhe ofrimin e shërbimeve të reja online.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si një nga institucionet më peshën dhe rolin kryesor në këtë reformë, ndërmori një proces të detajuar të identifikimit të shërbimeve publike që ofrohen në sportelet e institucioneve të saj të varësisë, dokumenteve që kërkohen për përfitimin e shërbimeve dhe atyre që mund të eliminohen apo ofrohen online”-shkruan Ahmetaj.

Detyrimet që do të mund të paguhen online

1.Pagesa e TVSH-së nga biznesi

2.Tatimi i fitimit i biznesit

3.Tatimi i lojërave të fatit të biznesit

4.Tatimi mbi të ardhurat personale

5.Renta minerare e subjektit

6.Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin

7.Taksat kombëtare

8. Tarifat kombëtare

9.Tatimi i mbajtur në burim

10.Kontributet shoqërore dhe shëndetësore nga biznesi

11.Detyrimet globale

12.Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi të biznesit

13.Tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi

Dokumentet që merren online 

1. Certifikata e regjistrimit në QKB, përfshirë NIPT/NUIS

2. Ekstrakt historik i kompanisë

3. Vërtetim për posedim mjetesh

4. Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për tatimpaguesit E-SIG 02a

5. Vërtetim për të ardhurat e realizuara në tre vitet e fundi për tender

6. Vërtetim për individ të paregjistruar

7. Formulari E-SIGO3a – Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për individët

8. Vërtetim për përgjegjësinë tatimore

9. Vërtetim për pagimin e detyrimeve

10. Vërtetim për statusin e tatimpaguesit

11. Vërtetim për regjistrimin e investitorit tek Drejtoria Rajonale

12. Dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore

13. Të gjitha llojet e certifikatave që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile