AKTUALITET, 22 Tetor 2017, 15:29

Prokuroria e Krimeve, një vit në ndjekje të grupit “Habilaj”, por... nuk gjeti prova

Prokuroria e Krimeve, një vit në ndjekje të grupit
Prokuroria e Krimeve të Rënda përmes një deklarate bëri të ditur se, kishte rreth një vit që ndiqte çdo veprim të grupit “Habilaj”, në bazë të informacioneve të siguruara nga shërbimet inteligjente që ajo kishte mbi tavolinën e punës nga viti 2016. Gjithsesi, ajo pranon se deri në tetor 2017 nuk u arrit prej tyre të sigurohen prova të plota ligjore, ndërkohë që u arrestuan ditët e fundit u gjetën në Babicë të Vogël 3.9 ton kanabis në shtëpinë dhe Armand Koçerit dhe më u ndalua Nezar Seiti, i dyshuar si anëtar i grupit kriminal “Habilaj”

DEKLARATA

Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedim penal ndaj grupit të njohur si “Habilaj” në vitin 2016, në bazë të informacioneve të siguruara nga shërbimet inteligjente. Në këtë informacion flitej edhe për përfshirje të zyrtarëve të policisë. Pas verifikimeve të nevojshme të këtij materiali, Prokuroria ka zhvilluar hetimet e saj, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se, përfshirja e dyshuar e zyrtarëve të policisë në bashkëpunim me trafikantët, mund të cënonte procesin hetimor”. Në Prill 2017, pra, rreth një vit pasi Prokuroria për Krime të Rënda kishte regjistruar procedim penal ndaj këtij grupi, nga ana e Policisë së Vlorës është përcjellë një material referues, i cili kishte nevojë për shumë veprime të tjera hetimore shtesë për të siguruar provat e nevojshme ligjore. Deri në tetor 2017, nuk u arritën të siguroheshin prova të plota ligjore mbi aktivitetin kriminal të anëtarëve të këtij grupi. Ndërkohë, autoritetet italiane, në vijim të një hetimi të nisur prej tyre në vitin 2013, goditën anëtarë të këtij grupi në Itali. Në bazë të të dhënave të bëra publike për këtë operacion në Itali, Prokuroria për Krime regjistroi një tjetër procedim penal. Pasi u konstatua se bëhej fjalë për të njëjtët persona, për të cilët Prokuroria për Krime të Rënda kishte regjistruar procedim penal në vitin 2016, atëherë u vendos bashkimi i procedimeve penale”. Më datë 18.10.2017, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Armand Koçerri në fshatin Babic e Vogël,  tek një dhomë të katit të parë është gjetur dhe sekuestruar sasia e lëndës narkotike e llojit cannabis sativa, prej 3978 kg, e paketuar në disa pako të mbështjella me qese natribani. Në kuadër të këtij operacioni në Vlorë, është gjetur dhe sekuestruar mjeti lundrues gomone, i cili dyshohet se është përdorur nga grupi kriminal për trafikimin e lëndës narkotike. Në këto rrethana, nga policia gjyqësore, me datë 18.10.2017 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Armand Koçerri, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja  e narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 333/a të Kodit Penal. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit është kryer ndalimi i shtetasit Nezar Seiti pasi dyshohet si anëtar i grupit kriminal" (Tpz.al)