AKTUALITET, 23 Mars 2022, 22:54

Përfundon mbledhja maratonë, Alibeaj: Po hedhim hapa drejt bashkimit

Përfundon mbledhja maratonë, Alibeaj: Po hedhim hapa drejt bashkimit

Pas më shumë se tri orë ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, e drejtuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj. Në përfundim të mbledhjes, Alibeaj bëri një deklaratë për mediat, ku tha se sot janë hedhur hapat drejt bashkimit të demokratëve. 

“Besoj që ju e patë vendimin e grupit, që do të doja ta falenderoja për sensin e përgjegjshmërisë. Kjo është një shenjë tjetër e ngritjes së nivelit të përgjegjësisë. Me këtë sens përgjegjësie një nga synimet e kërkuara prej kaq kohës nga demokratët, bashkimi. Bashkimi për të mirën e demokratëve duke lëshuar dhe hequr dorë nga gjuha e urrejtjes si mënyra e vetme për të bashkuar demokratët.

Unë besoj që ky është çelësi i moralit, me mirëkuptim dhe të arrijmë këtë që kërkojnë demokratët. Është një hap i mirë për të shkuar drejt bashkimit”, u shpreh Alibeaj.

VENDIMET E MARRA SOT NE KRYESINE E PD

1. Kryesia e Partisë apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të rishikojë pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve. Nga përçarja dhe konflikti i brendshëm mes demokratëve dëmtohet Partia Demokratike dhe përfiton vetëm regjimi i Edi Ramës.

2. Kryesia e Partisë bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo iniciative dhe procesi të njëanshëm, që është duke u kryer në bazën e partisë, sepse përbëjnë akte përçarëse mes demokratëve. Kjo do të konsiderohej si shprehje vullneti për fillimin e procesit të bashkimit.

3. Kryesia e Partisë shpall vullnetin e saj për të bërë gjithçka në funksion të bashkimit dhe fton zyrtarisht në bisedime kolegët e palës tjetër. Për këtë qëllim krijohet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi pune ti’ bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të kolegëve të palës tjetër. Për konkretizimin e kësaj formule ngarkohet Kryetari i komanduar i PDSH.