AKTUALITET, 12 Prill 2023, 18:48

“Dyfishojmë kopshtet e çerdhet”, Këlliçi prezanton planin për arsimin: Bonus familjes, nëse në institucionet arsimore publike s’ka vende

“Dyfishojmë kopshtet e çerdhet”, Këlliçi

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë fitojmë’ për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi sot planin për arsimin në Kryeqytet. Në një tryezë me ekspertë të arsimit, mësues, pedagogë, nxënës e studentë, Këlliçi tregoi masat që parashikon të marrë që në nisje të punës si kryebashkiak, për t`i dhënë fund problemit të mungesës së shkollave dhe çerdheve. Fillimisht, ai tha se sot në Tiranë, ka kopshte dhe çerdhe për vetëm 12 mijë fëmijë, ndërsa pjesa tjetër e fëmijëve të kësaj grupmoshe mbetet e pambuluar me shërbim.

“Sot që ne flasim në kryeqytet kemi vetëm 39 çerdhe dhe 46 kopshte që mjaftojnë vetëm për akomodimin e 12 mijë fëmijëve të kryeqytetit. Pra 38 mijë fëmijë mbeten të pa adresuar dhe problematika e tyre, duhet të jetë një shqetësim parësor për çdo kryebashkiakë dhe për çdo punonjës të bashkisë Tiranë”, -tha Belind Këlliçi.

Kandidati i opozitës paraqiti edhe zgjidhjen.  “Angazhimi im i parë dhe i drejtpërdrejtë sot është ky: E gjithë sipërfaqja e ndërtuar që vjen prej taksës 3% si kontribut social i sektorit të ndërtimit, do të shkojë për çerdhe dhe kopshte të reja. Kjo do të thotë se numri i kopshteve dhe çerdhe të reja në Tiranë do të dyfishohet menjëherë. Kjo do të ndodh brenda vitit tim të parë të mandatit të ardhshëm”, -u shpreh ai.

Por, edhe nëse pas kësaj situate do të ketë ende fëmijë që nuk marrin shërbim në kopshtet dhe çerdhet publike për shkak të mungesës së kapaciteteve, bashkia e Tiranës parashikon një paketë financiare që ata të akomodohen në struktura private.

“Pasi të ketë kaluar viti i parë që të kemi marrë 3% për të ndërtuar të gjithë atë sipërfaqe për ta kaluar te fondi i ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve, nëse do të ketë fëmijë, familje që kanë nevojë të regjistrojnë fëmijët në çerdhe apo kopsht shtetëror dhe nuk e gjejnë këtë mundësi, atëherë bashkia do t`i japë një bonus prej 100 mijë lekësh të vjetra në muaj për ta çuar fëmijë në një strukturë private derisa t`i garantojë kopshtin apo çerdhen publik”, -u shpreh kandidati i opozitës.

Para ekspertëve të arsimit, Belind Këlliçi premtoi gjithashtu dhënien fund të mësimit me dy turne në kryeqytet, duke ndërtuar struktura arsimore për çdo njësi sipas nevojave.