TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas denoncimit të bërë publik nga avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri se klientin e tij kishin tentuar ta helmonin në qeli, vjen një reagim nga Drejtoria e Burgjeve.
Sipas këtij institucioni pakoja me ilaçe që alarmoi Haxhinë ishte për një tjetër të dënuar, por me të njëjtin emër ‘Izet H.’.
Njoftim për shtyp
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sqaron opinionin publik mbi disa deklarata në portalet online, sipas të cilave janë informuar nga Avokati Idajet Beqiri, se klienti i tij Izet Haxhia në IEVP Reç Shkodër, “ tentohet të helmohet, me ilaçe dhe vitamina në dhomën e izolimit”
Sa më sipër informojmë opinionin publik se;
Me datën 07.04.2023 një të burgosuri tjetër me të njëjtin emër (Izet.A), i kanë ardhur ilaçe nga familja nëpërmjet postës dhe janë administruar në zyrën e informacionit për kontroll dhe miratim të mjekut, sipas procedurave përkatëse.
Infermierët e turnit, V.Gj dhe A.S kanë marrë ilaçet nga zyra e informacionit dhe janë nisur për t’ja dërguar personit të cilit i kishin ardhur (Izet.A) dhe gjatë kalimit nga sektori i observimit kanë parë emrin e Izet Haxhisë në derë të dhomës dhe e ka pyetur nëse të kanë ardhur ilaçe nga familja. I dënuari Izet Haxhia është përgjigjur se nuk më kanë ardhur ilaçe dhe infermierët V.Gj dhe A.S, i kanë kërkuar falje duke e sqaruar se ilaçet ishin të të dënuarit Izet. A.
Sot datë 12.04.2023, gjatë daljes për në gjykatë i dënuari Izet Haxhia nisur nga keqkuptimi i datës 07.04.2023, i ka shprehur një oficeri të institucionit se mund të më helmojnë.
Sqarojmë se i dënuari Izet Haxhia, nuk është transferuar në asnjë Institucion të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tiranë, siç portalet shkruajnë, por është shoqëruar tranzit për të marrë pjesë në gjyq me datë 13.04.2023, ora 10:00. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, i dënuari do të kthehet përsëri në IEVP Reç Shkodër. Pra këto deklarata janë absolutisht të pavërteta.
Deklarata e avokatit
Tentohet të eliminohet me helm në Burgun e Reçit Izet Haxhia.
Në datën 10 prill 2023, në dhomën e izolimit të Burgut të Reçit, ku ndodhet ende i paraburgosur Izet Haxhia, i ka shkuar një “pako me ilaçe”!
Izet Haxhia ka pyetur punonjësin e Burgut se cili nga familjarët e tij i kishin sjellë këto “ilaçe”. Punonjësi i IEVP Reç i ka thënë se këtë pako me “ilaçe” dhe “vitamina” t’a kanë sjellë njerëzit e familjes tënde.
Meqenëse Izet Haxhia plotësimin e nevojave të tij për ilaçe, ushqime etj, i bënë vetëm përmes motrës së tij me banim në Tiranë, i ka telefonuar asaj.
Motra e tij Ilmia, tepër e shqetësuar, e ka vënë në dijeni se nuk i ka sjellë asnjë llojë “ilaçi” atij, dhe e ka porositur të vëllan që të mos i përdorte ato në asnjë rrethanë!
Izet Haxhia ka kërkuar takim urgjent me drejtuesit e Burgut të Reçit, por i ka shkuar një përfaqësues dhe i ka thënë që ishte bërë një “gabim”, pasi dërgesa nuk dihej cilit të burgosur i përkiste, sikurse nuk identifikohej as personi që i kishte futur këto “ilaçe” deri në dhomën e izolimit të Burgut ku qëndron Izet Haxhia.
Izet Haxhia është larguar me urgjencë nga Burgu 302 “Mine Peza” në Tiranë dhe është transferuar në Burgun e Reçit me arsyetimin se ishte në kushte paraburgimi dhe duhet të kalonte në regjim kampi në IEVP Reç.
Në fakt ai për 20 ditë mbahet i izoluar shumë më keq se një i paraburgosur në Burgun e Reçit, duke lënë shkas për veprime të tilla të dyshimta, si kjo me “ilaçet”, për t’a eleminuar atë fizikisht!
Bota e krimit, e cila i ka tantakulat e saj shumë të forta në Burgje, për shkak të një kallëzimi penal tepër serioz që Izet Haxhia ka bërë kundër ish Presidentit të Republikës Sali Berisha, ish Kryeministrit Ilir Meta etj, kallëzim penal që është rregjistruar në SPAK në vitin 2019 dhe është në proces hetimi, kërkojnë eleminimin e tij.
SPAK, megjithëse e ka për detyrë t’a marrë në mbrojtje të posaçme këtë kallëzues dhe dëshmitarë okular për një numur të konsiderueshëm krimesh tepër të rënda të kryera në kuadrin e organizatës kriminale prej dy ish pushtetarëve më të lartë të vendit, Sali Berisha, Ilir Meta, etj, jo vetëm që i zvarrit prej 4 vjetësh pa shkak hetimet, por me qëndrimin e vet jo ligjor, e lë këtë kallëzues dhe dëshmitar okular në mëshirën e krimit të organizuar për t’i marrë jetën atij.
“Alarmi” që ka dhënë Imie Haxhia, motra e Izet Haxhisë, pas aktit të paprecedent me të ashtuquajturat “ilaçe”, duhet vlerësuar me seriozitetin e kërkuar nga ligji nga Ministria e Drejtësisë dhe SPAK, për të siguruar jetën e Izet Haxhisë.
Av. Idajet Beqiri
Mbrojtësi Ligjor me Prokurë i Izet Haxhisë