AKTUALITET, 12 Prill 2023, 16:16

Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri/ “Do nisim një faqe të re”, Balluku: Ndihmë investimeve të ardhshme

Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri/ “Do nisim

Zëvendëskryeministrja njëherësh dhe ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vlerësoi rolin e strategjive në zhvillimin dhe progresin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë së vendit.

Teksa ishte sot prezente në konferencën “Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri S3” ku merrnin pjesë përfaqësues të kabinetit qeveritar, Akademisë së Shkencave, shoqatave prodhuese në vend, shoqërisë civile, si dhe ekspertë të huaj të linjës, Balluku, tha se me strategjinë e specializimit inteligjent në Shqipëri S3, “do të nisim një faqe të re duke hartuar një strategji të re, me një metodologji ndryshe, që do të jetë si një udhërrëfyes për qeverinë shqiptare dhe i vjen në ndihmë zhvillimit të sektorëve dhe nën-sektorëve të ekonomisë në përgjigje të zhvillimeve bashkëkohore që kërkon koha, duke mundësuar progres dhe punësim për të rinjtë”.

Sipas Ballukut kjo strategji i përgjigjet në mënyrë të specializuar çdo sektori që nga bujqësia, energjia, manifaktura, mjedisi, kultura e deri tek ekonomia blu të gjithë zhvillimit ekonomik kombëtar dhe veçanërisht punësimit mbi baza të digjitalizimit dhe inovacionit.

Po ashtu ajo shtoi se qeveria përkrah dhe mbështet procesin e specializimit inteligjent të Shqipërisë dhe për këtë fushë po punon me ekspertë të BE-së, për hartimin e dokumentit përkatës në linjë kjo dhe me procesin e integrimit që ka nisur tashmë vendi.

“Ne synojmë drejtimin e investimeve në të ardhmen tek inovacioni për të zhvilluar ekonominë në mënyrë inteligjente”, deklaroi Balluku.