AKTUALITET, 12 Prill 2023, 15:58

"Kemi ushtarë që s’flenë"/ U arrestua se bënte thirrje për kryerjen e akteve me qëllime terroriste, çfarë shkruante 45-vjeçari nga Kavaja në "Facebook"

"Kemi ushtarë që s’flenë"/ U arrestua se

Një 45-vjeçar nga Kavaja është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK pas dyshimeve të arsyeshme të bazuara mbi prova se ka kryer veprën penale “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se nëpërmjet disa adresave në rrjetet sociale, jo me emrin e tij, shtetasi Gentian Çollaku është konstatuar se ka bërë postime me thirrje radikale.

Në një postim të siguruar nga rrjetet sociale në menaxhim të tij, është postuar një thënie në mbështetje të ISIS, e shoqëruar me një foto të xhihadistëve në mbështetje të Shtetit Islamik.

“Nëse nuk ndalen së luftuari ndaj nesh, atëherë dijeni se ne kemi ushtarë të cilët nuk flejnë”, shkruhet në foto.

Hetimi në lidhje me rastin ka nisur nga SPAK në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë se Antiterrorit, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg’’.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 31 datë 11.04.2023 ka vendosur ndaj këtij të hetuari masën e sigurimit personal "arrest në burg".