TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokatët bënë fakt këtë të hënë paralajmërimin për të bojkotuar edhe seancat për masat e sigurisë në Gjykatën e Posaçme, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores që kufizon punën e tyre dhe të gazetarëve, duke mos lejuar përdorimin e celularëve në sallë. Këtë të hënë nuk pati seanca për masa sigurie në GJKKO, ndërsa vijoi edhe bojkoti i proceseve gjyqësore, deri në pezullimin e rregullores.
Përshkallëzimi i bojkotit, nga proceset gjyqësore edhe te masat e sigurisë, rrezikon të krijojë pasoja për personat e arrestuar. Ligji përcakton afate brenda të cilave një person i arrestuar duhet të dalë para gjykatës për masën e sigurimit personal, ndërsa mosrespektimi i tyre mund të sjellë humbjen e fuqisë së masës.
Bllokimi i proceseve detyroi edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të mblidhen për të diskutuar se si do të veprohet me rregulloren e re. Por mbledhja e zhvilluar këtë të hënë me kërkesë të kryetarit të GJKKO-së, Erjon Bani, nxori në pah përçarjen mes vetë gjyqtarëve të posaçëm.
Një pjesë e trupës gjyqësore kërkoi që situata të zgjidhet përmes dialogut me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, ndërsa gjyqtarë të tjerë mbajtën qëndrimin se duhen ashpërsuar masat ndaj avokatëve që refuzojnë të marrin pjesë në seanca.
Mbledhja përfundoi pa një qëndrim të përbashkët dhe, për momentin, nuk ka një vendim se si do të procedojë GJKKO me rregulloren që hyri në fuqi më 1 shtator dhe që ka sjellë përplasjen me avokatët, por edhe me gazetarët.
Pasojat e bojkotit u reflektuan edhe këtë të hënë në proceset gjyqësore. U shty seanca e radhës për dosjen e aferës “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë. Shkak u bë mungesa e avokatëve, të cilët nuk u paraqitën në seancë në zbatim të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.