AKTUALITET, 12 Prill 2023, 15:23

"Korrupsioni vrapon si lepur, qeveria lëviz si breshka", ish-ministri socialist i Financave: Situata e të bërit biznes, kritike

"Korrupsioni vrapon si lepur, qeveria lëviz si breshka",

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj deklaron se situata e të bërit biznes në vend shumë kritike, ndërsa sugjeroi që ndryshimet sa i takon taksave duhet të bëhen rrallë dhe jo çdo 6 muaj.

Malaj foli për deklaratën e 5 dhomave të Tregtisë, të cilat i parashtruan disa kërkesa qeverisë, siç ishte reduktimi i pengesave burokratike.

Malaj tha në News24 se këto 5 Dhomat e Tregtisë janë një zë i fortë që duhet dëgjuar.

"Është për t’u përshëndetur, pasi biznesi jep 70-80 % të ekonomisë. Fakti që këto dhoma janë bashkuar me Konfindustrian, është mesazh i mirë. Një qeverisje e mirë kërkon që të ketë oponencë. Një biznes që ndjen pasoja, është zë i fortë që duhet dëgjuar dhe ftuar. Ajo që më bën përshtypje nga kjo deklaratë, është se qeveria duhet të orientojë dhe sqarojë paqartësitë. Ata kërkojnë që reforma ekonomike e financiare të mos jetë kaq e shpejtë sa tani. Të kemi një sistem të miratuar në Parlament dhe ndryshimet të jenë të rralla dhe bizneset të bëjnë projeksionet e tyre", deklaroi Malaj.

Sipas tij, fakti që këto 5 dhoma bëjnë këto kërkesa, tregon se gjendja është kritike dhe duhet vlerësuar.

"Kërkesat e tyre janë imediate. Edhe raportet e SHBA-ve dhe BE kanë qenë kritike, siç ishte mosaplikimi i pasaportave të arta apo amnistisë fiskale që mos të krijohen të çara në ekonominë shqiptare. Këto tregojnë se ka diçka shqetësuese dhe qeveria duhet të reagojë për të plotësuar kërkesat e tyre. Qeveria duhet të ketë platforma ballafaquese. Faktet e fundit që e kanë bërë të pamundur punën e biznesit janë gjobat e pafundme dhe sjellja ndaj ‘Prestige Resort’ e tregon këtë. Gjobat dhe penalitetet do t’i paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Dëmi që iu bëhet taksapaguesve është i rëndë. Duhet zgjidhje ligjore dhe jo vetëm debat publik. Duhet të vendoset një nen që çdo ndryshim duhet të paraqitet në SPAK, nëse ka elemente për korrupsion apo të papërgjegjshmërisë që iu rëndon taksapaguesve shqiptarë", u shpreh ish-ministri.

Ai theksoi se duhet patjetër të bëhen ndryshime dhe se rregullat e lojës e taksat nuk ndryshohen në mënyrë spontane.

"Rishikimi i taksave të bëhet 1 herë në 3 vite. Nuk ndryshojnë çdo 6 muaj apo për arsyeje spontante. Kryeministri ishte para pak javësh në Londër dhe u tha se 4 mld stërlina ishin për projekte. Ato nuk janë fonde të qeverisë, por projekte. Ato janë fonde për të mbështetur bizneset private të Britanisë së Madhe që mund të bëjnë biznes në Shqipëri. Ato nuk janë fonde që i vijnë Shqipërinë, por i kanë bizneset private që zgjedhin se ku do të investojnë", tha Malaj.

Sa i përket masave kundër ryshfetit dhe transparencës nga institucionet publike, ai deklaroi se korrupsioni vrapon si lepur, qeveria lëviz si breshka’

"Ajo që dua të theksoj është se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e përhershme dhe jo me valë. Ka një hap drejt sistemit të drejtësisë dhe SPAK ka krijuar atë modelin se nuk ka më të paprekshëm. Qeveria duhet të ketë njohuri të qarta dhe plane po ashtu të qarta. Kërkohet reformë në shërbimet publike, në shëndetësi, arsim, apo te organet tatimore. Ne e kemi ngritur zërin për këtë çështje. Partneriteti publik-private janë në dorë të pak duarve. Bëhen pa konkurrencë. Për shkak të korrupsioni tenderat merren me një vlerë të asaj që deklarohet në fillim dhe këtu tregon se nuk ka konkurrencë. Përgjegjësia penale është individuale, dhe morale për qeverinë. Reforma për pensionet në Francë apo e gjyqësorit në Izrael ngritën të gjithë popullin në këmbë për të protestuar", tha Malaj.

Ai deklaroi më tej se nëse qeveria e injoron këtë thirrje, do bëjë gabim të madh. "Atëherë ne do të ndodhemi në situatën që biznesi do të tkurret, dhe do të thotë se më pak punë, më pak të ardhura dhe më pak buxhet", përfundoi ish-ministri.