AKTUALITET, 12 Prill 2023, 16:31

Alibeaj zbardh takimin me Escobar: Folëm për zhvillimet në PD, qëndrim konstant për personat non-grata

Alibeaj zbardh takimin me Escobar: Folëm për zhvillimet në PD,

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zbardhur detaje nga takimi që pati sot me zv/ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për çështjet europiane, Gabriel Escobar.

Teksa ka publikuar një foto në rrjetet sociale me Escobar, Alibeaj pohoi se me zyrtarin e lartë amerikan kanë folur në lidhje me përgatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve.

Mes të tjerash Alibeaj thekson se kanë diskutuar edhe për shkeljet e qeverisës në Kodin Zgjedhor në lidhje me rekomandimet e ODHIR për shitblerjen e votës dhe përdorimin në fushatë te administratës publike.

“Zhvillova sot një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane, dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.

Gjatë bisedës prekëm tema të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek pregatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve. Theksova refuzimin e qeverise per te adresuar ne Kodin Zgjedhor rekomandimet e ODHIR. Përveç kësaj i bëra me dije shkeljen që po ndodh aktualisht nga qeveria të rekomandimeve te ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës, përdorimin në fushatë te administratës publike, përdorimi i të dhënave personale dhe buxhetit të shtetit në funksion të zgjedhjeve e sidomos lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve. Temë e bisedës ishin dhe zhvillimet në Partinë Demokratike, dinamikat e muajve të fundit dhe qëndrimi konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare.

E sigurova zotin Eskobar për vullnetin e PD në bashkëpunimin me aleatin tonë kryesor, duke i konsideruar SHBA si mbështetës të angazhuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Alibeaj.