AKTUALITET, 12 Prill 2023, 15:30

"S'mund të mbahet Shqipëria duke i vendosur tritol kundërshtarit politik", Salianji viziton kreun e PD në Vaun e Dejës: Do e çojmë çështjen në Kuvend

"S'mund të mbahet Shqipëria duke i vendosur tritol

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka vizituar sot kreun e PD-së në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, një ditë pas atentatit ndaj tij mëngjesin e së martës, ku i shpëtoi mrekullisht një shpërthimi të fuqishëm në makinë.

Salianji e cilësoi ngjarjen një akt të mirëfilltë tëerrorist dhe premtoi ngritjen e çështjes në Komisionin parlamentar të Sigurisë.

Ai bëri thirrje që të zbardhet sa më shpejtë ngjarja e rëndë duke theksuar se nuk mund të mbahet Shqipëria duke i vendosur tritol kundërshtarëve politikë dhe atyre mediatikë.

“Ne jemi këtu për t’i shprehur mbështetjen kryetarit të opozitës për zonën. Ndikon në klimën e sigurisë publike në gjithë vendin. Është një akt terrorist. Ngjarja bëhet dyfish e rëndë duke marrë parasysh mosreagimin e qeverisë dhe nëse ngjarja nuk zbardhet. Çdo raport që kemi me institucionet ndërkombëtare, ne do ta kthejmë në fokus në Komisionin e Sigurisë, që akte si ky jo vetëm të mos ndodhin, por të marrin përgjigjen e merituar nga organet e drejtësisë.

Nuk mund të mbahet dot Shqipëria duke i vendosur tritol kundërshtarit politik, duke tentuar të eleminohet kundërshtari politik, duke vendosur gjoba dhe kërcënime qytetarëve. Duke tentuar të vendosen tritole kundërshtarëve mediatikë. Çdo punonjës i ndershëm i policisë, i bëj thirrje të mos përfshihet në fushatën elektorale, të mos kërcënojnë kundërshtarët politikë.

Në këto kushte dua ta mbyll jo vetëm me thirrjen për ndëshkimin e autorëve, por edhe me thirrjen për qytetarët që të ndëshkojnë këtë qeveri. Cilido që ka parë shpërthimin me eksploziv, sekondat ndanin fatalitetin nga ky shpërthim. I bëj thirrje qytetarëve që të votojnë në 14 maj për të bërë të mundur ndryshimin”, u shpreh Salianji.