AKTUALITET, 12 Prill 2023, 18:19

Shitja në ankand e pronave nga Përmbarimi, ndryshojnë procedurat, tarifa të reja për sendet e çmuara dhe pasuritë e paluajtshme

Shitja në ankand e pronave nga Përmbarimi, ndryshojnë procedurat,

Këshilli i Ministrave ka miratuar një seri ndryshimesh në procedurat dhe tarifat me të cilat operon sektori i përmbarimit privat, por në mënyrë të veçante sa i përket ankandeve përmes të cilave do të shiten pronat e luajtshme apo të paluajtshme të debitorëve.

Një prej udhëzimeve ka objekt përcaktimin e tarifave për kryerjen e shitjes së sendeve në ankand publik, me kërkese të të interesuarve, nga përmbaruesit dhe i mënyrës së pagesës së tyre, kur ankandi zhvillohet në kuadër të veprimtarisë dytësore të përmbaruesit gjyqësor privat.

Udhëzimi do të zbatohet për tre lloje pronash: së pari, sendet e çmueshëm në pronësi të të interesuarit; së dyti sendet e paluajtshme në pronësi të të interesuarit ose në bashkëpronësi të tij; dhe së treti sendet e luajtshme në pronësi të të interesuarit, që nuk përjashtohen nga qarkullimi civil.

Tarifa për kryerjen e shitjes së sendit në ankand publik përbëhet nga: tarifa e aplikimit në shumën 5 000 leke; tarifa e zhvillimit të procedurës së ankandit, që mbulon publikimin e kërkese në faqen elektronike të zhvillimit të ankandeve, kostot dhe shërbimin e përmbaruesit në shumën e tre pagave minimale mujore; si edhe tarifa e vlerës së shitjes së sendit në ankand.

Kjo e fundit, për sendet e paluajtshme në pronësi të të interesuarit, në masën e 3% (tre për qind) të vlerës së shitjes së sendit; për sendet e çmueshme në pronësi të të interesuarit, në masën 10% të vlerës së shitjes së sendit; dhe për sendet e luajtshme në pronësi të të interesuarit, që nuk përjashtohen nga qarkullimi civil, në masën e 5% (pesë për qind) të vlerës së shitjes së sendit./scan