AKTUALITET, 16 Prill 2020, 15:06

Zbardhen prapaskenat nga mbledhja/ Basha kërkoi anullimin e "inceneratorëve", Rama refuzoi në mënyrë kategorike!

Zbardhen prapaskenat nga mbledhja/ Basha kërkoi anullimin e

Ditën e djeshme është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar lidhur me krizën e shkaktuar nga Covid-19.

Balkanweb ka zbardhur prapaskenat e mbledhjes, ku duket se ka patur debate, mes kreut të opozitës, Basha dhe kryeministrit Rama, lidhur me anullimin e koncesioneve me vlera marramendëse të inceneratorëve, një prej çështjeve më të diskutuara në vend.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë mbrëmë, kanë nisur të mësohen informacione konkrete për qendrimet mes palëve. Nga burime të mirëinformuara për BW, mësohet se çështja e anullimit të koncesioneve, ka qenë një temë e rëndësishme e debatit mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

Zoti Basha ka kërkuar rritjen nga qeveria të buxhetit që i vjen në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve, duke patur si moto kryesore “ruajtjen me çdo kusht të vendeve të punës”. Burimet bëjnë të ditur se zoti Rama ka deklaruar se “qeveria nuk ka më shumë mundësi sesa ka bërë dhe po bën me paketën e zgjeruar të ndihmës”.

Ky qendrim nuk është pranuar si realist nga kreu i opozitës. Zoti Basha ka argumentuar se qeveria ka mjaftueshëm parà për të shtuar fondin e ndihmës. Ai ka përmendur fondet e koncesioneve, duke i kërkuar kryeministrit të vendosë për anullimin e tyre. “Le të marrim për shembull koncesionet dhe PPP-të për 3 inceneratorët”-mësohet të jetë shprehur Basha. – vetëm anullimi i tyre lehtëson buxhetin nga një barrë prej qindra milionë euro në vite dhe afro 20 milionë vetëm këtë vit”- është shprehur Basha.

Mësohet se Kryetari i PD ka përmendur edhe shumën totale prej 120 milionë dollarë për koncesionet e tjera këtë vit që ai kërkon të anullohen për të shpëtuar ekonominë e vendit nga kriza dhe për të mos shkuar drejt mbylljes së detyruar të mijëra vendeve të punës. Burime të besueshme për BW,  bëjnë të ditur se kryeministri Rama ka refuzuar në mënyrë kategorike anullimin e koncesioneve dhe PPP-ve të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Kreu i qeverisë nuk ka dhënë asnjë argument për mos anullimin e këtyre koncesioneve, por ka thënë vetem “Kjo është diçka që s’bëhet. Jam absolutisht i prerë në këtë vendim”.