AKTUALITET, 12 September 2026, 11:25

Viti i ri shkollor/ Hita: Smart City në 20 shkolla, po bashkëpunojmë me AKU për sigurinë ushqimore

Teksa të hënën nis viti i ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka bërë publike masat e marra për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore.

Hita ka garantuar forcimin e masave dhe praninë e shtuar të Policisë së Shtetit pranë shkollave. Sipas tij, këtë vit sigurisë në institucionet arsimore do t’i shtohet edhe një tjetër dimension përmes projektit “Smart City”, në kuadër të të cilit janë vendosur kamera inteligjente në 20 shkolla.

Në deklaratën e tij, kreu i Policisë së Shtetit tha se plani i masave është hartuar pas analizës së problematikave të viteve të kaluara dhe në koordinim me Ministrinë e Arsimit.

“Ju falënderoj që jeni këtu në këtë ditë pushimi, por tematika për të cilën dua të informoj qytetarët ka të bëjë me qasjen e re dhe masat e marra nga Policia e Shtetit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, proces shumë i rëndësishëm për të gjithë shoqërinë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e shtuar për Policinë e Shtetit. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe krijimi i një ambienti sa më të sigurt për zhvillimin e procesit mësimor të qetë në çdo cep të Shqipërisë është detyrë parësore e Policisë së Shtetit”, tha Hita.

Sipas tij, masat nuk do të fokusohen vetëm te siguria fizike e nxënësve, por do të përfshijnë edhe sigurinë ushqimore, kibernetike dhe rrugore.

“Pas analizës së problematikave të hasura gjatë viteve të kaluara, konsultimit dhe koordinimit me Ministrinë e Arsimit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, me detyra konkrete për të gjitha strukturat që do të angazhohen për garantimin e sigurisë së nxënësve. Ky plan nuk lidhet vetëm me garantimin e sigurisë fizike të nxënësve, por masat tona përfshijnë edhe sigurinë ushqimore, sigurinë kibernetike dhe sigurinë rrugore”, u shpreh ai.

Hita bëri të ditur se shefat e komisariateve do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, koordinimin dhe kontrollin e shërbimeve në territor.

Ai tha se specialistët e sektorëve kundër Narkotikëve dhe atyre Operacionalë në 12 drejtoritë vendore të Policisë do të zhvillojnë kontrolle me intensitet të lartë, brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave.

Fokusi, sipas tij, do të jetë identifikimi dhe ndalimi i personave që tentojnë t’u afrohen institucioneve arsimore, të përfshijnë nxënësit në veprimtari kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, apo t’u shesin sende të tjera të kundërligjshme.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore pranë shkollave, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve gjatë lëvizjes së tyre në fillim dhe në përfundim të orarit mësimor, si dhe gjatë pushimit të gjatë.

Një tjetër pjesë e planit lidhet me ndërgjegjësimin e nxënësve. Strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, të Krimeve Kibernetike dhe të Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në shkolla për zhvillimin e orëve ndërgjegjësuese.

Temat do të përfshijnë rreziqet e bullizmit, dhunës psikologjike në shkolla dhe në hapësirën digjitale, sigurinë rrugore, si dhe reduktimin e përdorimit të drogës, duhanit dhe alkoolit.

Në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, Policia e Shtetit do të bashkëpunojë edhe me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për kontrollet e bizneseve që operojnë pranë institucioneve arsimore.

Sipas Hitës, kontrollet do të verifikojnë aktivitetin ekonomik të këtyre subjekteve, përbërjen dhe skadencën e produkteve që konsumojnë nxënësit, si dhe kushtet higjieno-sanitare ku produktet ruhen dhe tregtohen.

Në këtë proces do të përfshihen edhe oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit dhe psikologët, të cilët, sipas kreut të Policisë, janë një pikë e rëndësishme kontakti për evidentimin në kohë të problematikave.

Hita tha gjithashtu se Policia do të forcojë bashkëpunimin me Bordet e Prindërve dhe Qeveritë e Nxënësve, ndërsa shqetësimet e fëmijëve dhe prindërve, sipas tij, do të trajtohen me përgjegjshmëri dhe në kohë.

Kamera inteligjente në 20 shkolla

Një risi e këtij viti është përdorimi i teknologjisë në funksion të sigurisë.

“Këtë vit, sigurisë në shkolla i shtohet edhe një tjetër dimension i rëndësishëm: teknologjia. Në kuadër të projektit Smart City, në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente, të cilat rrisin kapacitetet tona për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë”, tha Hita.

Sipas tij, teknologjia do të ndihmojë në evidentimin më të shpejtë të problematikave dhe në reagimin më efikas të Policisë.

“Dhe dua ta them qartë: teknologjia nuk zëvendëson punonjësin e Policisë. Ajo e bën më të shpejtë, më efikas dhe më të saktë punën e tij në terren”, theksoi kreu i Policisë së Shtetit.

Në fund të deklaratës, Hita iu drejtua edhe nxënësve, duke i bërë thirrje që të mos heshtin përballë rasteve të dhunës, shpërndarjes së narkotikëve, kërcënimeve, bullizmit apo përfshirjes së bashkëmoshatarëve në veprimtari kriminale.

“Mos nguroni të flisni me prindërit, me psikologët, punonjësit socialë, mësuesit dhe me punonjësit e Policisë. Ndërhyrja në kohë për të trajtuar çdo problematikë apo shqetësim mund të parandalojë një ngjarje më të rëndë”, u shpreh ai.

“Ky është angazhimi ynë, shkolla të sigurta, për të ardhmen e vendit tonë!”, përfundoi Skënder Hita.