TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një arratisje spektakolare ka ndodhur të premten në mbrëmje në Serres të Greqisë, ku një i burgosur shqiptar 41-vjeçar është arratisur gjatë transferimit të tij nga burgu drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30, në ambientet e jashtme të spitalit, pranë repartit psikiatrik. Në atë moment, 41-vjeçari ndodhej në automjetin e transportit të të burgosurve, së bashku me dy punonjës të burgut që përbënin eskortën.
Papritur, pranë automjetit janë shfaqur persona të tjerë me mjete që ngjanin me automjetet e policisë. Sipas informacioneve të deritanishme, personat nuk kishin veshur uniforma policie dhe nuk u paraqitën si pjesëtarë të njësisë OPKE.
Megjithatë, një prej automjeteve, një Nissan Navara, ngjante me mjetet që përdoren nga kjo njësi dhe kishte edhe një sinjalizues të vogël. Kjo bëri që punonjësit e eskortës të besonin fillimisht se kishin të bënin me efektivë të policisë.
Situata ndryshoi brenda pak sekondash. Personat zbritën nga automjeti të armatosur dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan dy punonjësit që shoqëronin të burgosurin.
Sipas informacioneve të publikuara, autorët i morën njërës prej punonjësve edhe armën e shërbimit. Më pas, ata ndihmuan 41-vjeçarin të largohej nga vendngjarja dhe u arratisën me automjetet e tyre.
Në momentin e ngjarjes, në ambientet e spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë, të cilët ishin transportuar më herët për në spital nën shoqërimin e një tjetër eskorte.
Kush është i arratisuri?
I arratisuri është një shtetas shqiptar 41-vjeçar. Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, ai ishte arrestuar vitin e kaluar nga oficerët e Krimit të Organizuar, nën dyshimin për përfshirje në një tentativë vrasjeje në Selanik.
Rasti për të cilin ishte arrestuar lidhej me një incident të ndodhur në një mensë. Përveç kësaj, 41-vjeçari dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në çështje që lidhen me armët dhe trafikun e drogës.
Pas arratisjes, autoritetet greke kanë vënë në lëvizje një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e 41-vjeçarit, si dhe të personave të armatosur që dyshohet se organizuan dhe realizuan arratisjen.
Deri në këto momente, i burgosuri dhe personat që e ndihmuan të arratisej nuk janë lokalizuar.
