AKTUALITET, 11 September 2026, 21:42

Rama: Jemi në një “vrapim kundër orës” për integrimin në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një “vrapim kundër orës” për procesin e integrimit europian, duke theksuar nevojën për vijimin e përmbushjes së detyrimeve dhe raportimit pranë institucioneve të Bashkimit Europian.

Gjatë intervistës, Rama tha se e sheh të hapur mundësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe se për të arritur këtë objektiv, vendi duhet të vijojë me të njëjtin ritëm në përmbushjen e angazhimeve.

“E shoh derën e BE-së hapur dhe atë derë ne mund ta kapërcejmë vetëm kështu”, u shpreh Rama.

Kryeministri argumentoi se ndërprerja e këtij ritmi do të sillte vonesa në procesin e integrimit europian.

“Ne duhet të vazhdojmë çdo javë të raportojmë atje për detyrat, për gjërat. Në momentin që ne ndërpresim vrapimin kundër orës, ora ndalet”, tha ai.

Rama e lidhi vijimin e punës me nevojën për të përmbushur detyrimet e Shqipërisë dhe për të ruajtur ritmin e komunikimit dhe raportimit me institucionet europiane.

Në të njëjtën intervistë, kryeministri foli edhe për të ardhmen e tij politike, duke deklaruar se nuk synon të qëndrojë në pushtet në mënyrë të përhershme.

“Nuk jam këtu për t’u bërë mbret apo për të qeverisur në përjetësi, por jam këtu se shoh derën e hapur të BE-së. Kur ta kapërcej pragun e asaj dere, ju shpëtoni nga unë”, u shpreh Rama.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur procesi i integrimit europian mbetet një prej prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare, ndërsa Tirana vijon punën për përmbushjen e angazhimeve në kuadër të këtij procesi.