AKTUALITET, 11 September 2026, 22:36

Ambasada e Kroacisë në Shqipëri takim me të rinjtë e qytetit: Ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane

Ambasada e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, me mbështetjen e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje për Integrimin në Bashkimin Evropian” (EUIS), organizoi sot në Berat një tryezë diskutimi me të rinjtë e qytetit.

Takimi, me temë “Shqipëria dhe Kroacia, të rinjtë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane”, u zhvillua në Qendrën Multifunksionale Rinore në Berat, ku Unioni i Këshillave Studentorë të Shqipërisë u bashkua me të rinjtë beratas për të diskutuar mbi nevojat, mundësitë dhe perspektivën e rinisë shqiptare në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, ambasadori i Republikës së Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramarić, përfaqësues të Ambasadës së Kroacisë dhe të projektit EUIS.

Gjatë diskutimit, të rinjtë e Beratit u njohën me përvojën e Kroacisë në procesin e integrimit evropian, përfitimet e anëtarësimit në BE dhe mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në këtë proces.

Vëmendje iu kushtua gjithashtu mundësive që procesi i integrimit ofron për të rinjtë, veçanërisht në arsim, mobilitet, punësim, zhvillim personal dhe pjesëmarrje aktive në shoqërinë evropiane.

“E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet vetëm në Tiranë. Perspektiva e të rinjve nga Berati dhe nga çdo qytet e komunitet tjetër i vendit është po aq e rëndësishme”, tha ambasadori Zlatko Kramarić.

Sipas tij, takime të tilla synojnë jo vetëm të sjellin më pranë të rinjve informacionin mbi procesin e integrimit evropian, por edhe të përcjellin te institucionet idetë, pritshmëritë dhe shqetësimet e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Caca, u shpreh se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është një proces që ndërtohet hap pas hapi dhe se të rinjtë duhet të jenë pjesë e tij.

“Rruga e Shqipërisë drejt Evropës nuk është thjesht një destinacion që presim ta arrijmë. Është një udhëtim që po e ndërtojmë së bashku, hap pas hapi, me shpresë në zemër, vendosmëri në veprime dhe me të rinjtë në qendër të tij”, deklaroi Caca.

Takimi në Berat shënoi nisjen e një serie aktivitetesh me të rinjtë, të cilat do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të Shqipërisë gjatë muajit shtator, përkatësisht në Kukës, Tiranë, Pogradec dhe Shkodër.