AKTUALITET, 12 September 2026, 11:13

Në prag të vendimit për Hashim Thaçin, Rama: Liri për çlirimtarët, vitet e burgut e kanë bërë më të madhe të vërtetën e tij

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Hagë dhe vendimin që pritet të merret më 16 shtator për ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se “farsa është në ditët e fundit” dhe përcjell mbështetjen e tij për Thaçin, duke theksuar se liria dhe e vërteta e tij nuk mund t’i merren.

“Liri për çlirimtarët! Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, shkruan Rama.