AKTUALITET, 15 Janar 2019, 12:16

Vasili: Edi Rama po gënjen shqiptarët. Kujdes!

Vasili: Edi Rama po gënjen shqiptarët. Kujdes!

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili përmes një deklarate për mediat tha se shqiptarët duhet të hapin sytë dhe të ruhen prej kryeministrit të vendit Edi Rama.

Duke cituar dhe publikuar investigimin e “Zërit të Amerikës, për rekrutimin e punonjësve në burgjet shqiptare dhe implikimin e ish-drejtorit Arben Çuko, Vasili u shpreh se kjo ishte qartësisht një farës, që pohon se punësimi bëhet përmes militantëve dhe jo sipas konkursit dhe aftësive.

Mes tjerash, kreu i grupit të LSI-së dënoi ashpër deklaratën e shefit të qeverisë, i cili përmes një posti në rrjetin social e quajti “Kazan” edhe Zërin e Amerikës.

“Është shumë e qartë se gjithçka që dëgjoni nga kryeministri është një mashtrim dhe një demagogji. Në investigimin e VOA doli qartë se militantë, që kishin kërkuar të punësohen se si fituan vendet e punës. Punësimet i ka partia dhe ky demagogu me deklarata tërësisht histerike të mbushura me pasion, gënjen shqiptarët. Tashmë nuk ka asnjë shqiptar si nuk e ka të qartë si dita e diellit.

Ka vetëm një pikë të paqartë, çfarë bën Prokuroria dhe pse nuk nis hetimet. Po të ishte një Prokurori korrekte duhet të kishte nisur, por është e kapur.

Ky kryeministër i pacipë quajti dhe VOA, një dritare që shqiptarët kanë parë shpresën guxoi ta quajë kazan. Ne kemi një batak, që quhet Edi Rama dhe qeveria e tij. U përsëris me dashamirësi të hapni sytë përpara këtij mashtruesi.”, tha ai.