TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I shumëkërkuari Klement Balili, i njohur edhe si "Eskobari i Ballkanit" është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit mëngjesin e kësaj të marte.
Balili akuzohet nga prokuroria për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Lajmi për dorëzimin e Balilit, konfirmohet nga njëri prej avokatëve të tij, Baftjar Rusi.
Në këto momente, Balili ndodhet në Policinë e Shtetit së bashku me avokatin tjetër, Theodhori Sollaku, ish-kryeprokuror i përgjithshëm.
Me dorëzimin e Balilit konfirmohen dhe dështimet spektakolare të policisë, edhe pse janë organizuar 13 operacione për kapjen e tij.
Lajmin fillimisht e publikoi ish-kryeministri Sali Berisha përmes një statusi në Facebook ku shkruante:
Dorezohet Klement Balili!
Qytetari dixhital informon. sb
Pershendetje doktorin vetdorezohet kelment Balili ne prokurorin e krimeve te renda ai esht nisur drejt tiranes me Rigels Balilin
Vetëdorëzimi i Balilit, vjen vetëm pak ditë pasi një burim nga Ministria e Drejtësisë njoftoi se Greqia i është përgjigjur në fund të dhjetorit të kaluar, përmes një letërporosie, kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që këmbëngulte t’i dorëzoheshin prova shtesë të 46-vjeçarit.
Kjo letërporosi ishte justifikimi kryesor i Prokurorisë, që në vitin 2018 zgjati tri herë afatin hetimor për Balilin, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, por që për shkak të dështimit të policisë për ta arrestuar u quajt nga ish-ambasadori Donald Lu edhe si “magjistari”.