AKTUALITET, 15 Janar 2019, 09:59

Atentati në Vlorë, 41-vjeçari luftë për të qëndruar në jetë, niset në Tiranë

Ende nuk ka asnjë autor për atentatin e një ditë më parë në Vlorë. Ndërsa pas 5 orësh ndërhyrje kirurgjikale, Mikel Mehmeti, i cili mbeti i plagosur nga ky atentat është nisur drejt Tiranës, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen "Pavarësia", ku persona të paidentifikuar me motor hapën zjarr mbi automjetin tip 'Audi' me targa AA 653 VC ku udhëtonin dy shtetas.

41-vjeçari Mehmeti dyshohet se ka qenë dhe shënjestër e atentatit.

Sipas policisë atentati ka qenë i mirëorganizuar. Agresorët kanë braktisur motorin në një tjetër zonë, duke u larguar më pas me një automjet.

Në afërsi të stacionit të trenit, në një zonë informale është gjetur një makinë e djegur terësisht, e cila dyshohet se është përdorur prej tyre.

Si ndodhi ngjarja-Dy persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri armësh ndaj një automjeti tip 'Audi' me targa AA 653 VC ku udhëtonte 41-vjeçari Mikel Mehmeti dhe një tjetër person.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën "Gjergj Araniti". Agresorët duket se e kanë ditur rrugën që do të ndiqte mjeti, duke e qëlluar afër në anën e drejtuesit të makinës.

Mehmeti ka mbetur i plagosur rëndë me një plumb në kraharor dhe një në bark. Menjëherë pas ngjarjes ai është dërguar në urgjencën e spitalit të Vlorës, ku edhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.

Paraprakisht mjekët kanë bërë të ditur se gjendja e tij është e rëndë.

Dëshmitarët okularë kanë thënë se dy agresorët janë larguar menjëherë me një motor nga ngjarja.

Ky është atentati i radhës në Vlorë pasi Mehmeti konsiderohet si një nga miqtë më të ngushtë të Ferdinand Llanaj, të cilit dy vite më parë i bënë atentat në rrugën Transballkanike.