AKTUALITET, 24 Shkurt 2018, 13:51

“Tiranë-Elbasan”, pas Qëndros pritet të thirret edhe ministri i Ramës

“Tiranë-Elbasan”, pas Qëndros pritet të thirret edhe

Kreu i komanduar i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro, ishte ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai u thirr për të dëshmuar në lidhje me skandalin e abuzimit me rrugën Tiranë-Elbasan.

Pasi dha dëshminë e tij, Qëndro nuk preferoi të fliste për mediat. Ai tha se do të vinte sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të ndihmuar hetimet.

 “Po të më thërrasin përsëri, unë do të paraqitem” deklaroi ai pasi doli nga Prokuroria. Burimet thonë se Qëndro është pyetur për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan, në cilësinë e detyrës që ai aktualisht mban. Thirrja e tij në Prokurori vjen pas thirrjes së dy ish-ministrave të Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.

Në javën që vjen pritet të dëshmojë edhe ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, i cili ka bërë edhe kallëzimin për abuzimet me rrugët. Të enjten dëshmuan në Prokurori tre ekspertët e auditit të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan, janë në pranga tre ish-zyrtarë: Dashamir Xhika, që ka qenë drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Albens Alite dhe Aksel Qurduka, dy ish-drejtuesit e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Dëmi i përllogaritur nga Prokuroria për abuzimet me tenderët dhe amendimet e kontratave me kontraktorët shkon në 37 milionë dollarë.

Për këtë abuzim gjenden në masë sigurimi “arrest me burg” të tre ish-zyrtarët. Nga të akuzuarit, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar akuzat.

Tre ish-zyrtarët kanë bërë disa amendime të kontratave për ndërtimin e rrugëve, duke sjellë shtyrjen e afateve të tyre dhe për pasojë, edhe dëme. Gjithashtu, Prokuroria evidenton si një shkelje të rëndë edhe kryerjen e punimeve nga firmat e ndryshme, duke mos pasur më parë një burim financiar.

Kjo shkelje është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Dashamir Xhikës, ku në një moment të dytë, është bërë likuidimi i firmave për punime të kryera më parë. Ligji e ka të përcaktuar qartë se punimet kryhen pas lëvrimit të fondeve dhe jo para tyre.

Prokuroria konstaton se Xhika ka shmangur edhe Bordin Drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Një tjetër shkelje është edhe situata e krijuar pas rrëshqitjeve të dherave në vitin 2014. Për këtë situatë, ka pasur vonesa në vendimmarrje për zgjidhjen teknike të problematikës nga Këshilli Teknik i ARRSH-së.