AKTUALITET, 5 Prill 2018, 10:52

Tërhiqet Rama: Kam gabuar, nuk rifillon pagesa nëse nuk gjejmë zgjidhje për banorët

Kryeministri Edi Rama, duket se është trembur mjaftueshëm nga protestat e qytetarëve dhe sot ka deklaruar tërheqjen nga tarifimi i Rrugës së Kombit, deri në momentin që do të gjendet një zgjidhje për banorët e zonës.

"Nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa pasur zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë", u shpreh Kryeministri.

Rama pranoi se ka gabuar, megjithatë ai u shpreh se pranon të shahet kur bën gjënë e drejtë për të mirën e vendit.

"Nuk ka udhëheqës që vendos tarifa  nga qejfi. Ka nga ata që preferojnë të duartrokiten duke gabuar dhe duke ua lënë faturën njerëzve gjatë rrugës dhe ata që preferojnë të shahen duke bërë gjënë e drejtë. Unë hyj te këta të dytët. Midis duartrokitjeve, duke marrë me të mirë një grup interesi apo një komunitet, siç bënë të tjerët dhe pakënaqësisë apo sharjeve, unë kam zgjedhur, zgjedh dhe do të zgjedh të dytën", u shpreh Rama.

Rama komentoi edhe protestën e opozitës dhe tha se po shfrytëzohet pakënaqësia e qytetarëve kuksianë për interesa të ngushta të opozitës. Pavarësisht komentit që pati për këtë protestë, duket se vendimi i opozitës për të kaluar në mosbindje civile, e ka trembur kryeministrin. Rama e zgjati fjalimin në parlament, për të zhvendosur vëmendjen nga protesta.

/TPZ.AL/