AKTUALITET, 4 Prill 2018, 22:48

Policia e Shtetit paralajmëron opozitën për protestën e nesërme, ja deklarata

Policia e Shtetit paralajmëron opozitën për protestën e

Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë zyrtare, për lajmet e përhapura në media se ditën e nesërme do të ketë protestë dhe bllokim rrugësh nga ana e opozitës. Policia njofton se nuk ka marrë asnjë kërkesë për protestë dhe se zhvillimi i një proteste të tillë do të jetë në shkelje të ligjit.

Duket se ka një tentativë për të trembur jo vetëm organizatorët e protestës por edhe qytetarët të cilët mund të kenë vendosur të marrin pjesë në të.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:

Siç është bërë e njohur në media, disa parti opozitare kanë lajmëruar se në datën 5 prill, do të zhvillojnë një protestë, shoqëruar me bllokimin e disa akseve rrugore kombëtare.

Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.

Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.

Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.

Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit.

Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore.

Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë.

Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit.

/TPZ.AL/