SPORT, 16 Prill 2022, 21:04

Vlahoviç shpëton Juventusin nga humbja, Bolonja reziston edhe me nëntë lojtarë

Vlahoviç shpëton Juventusin nga humbja, Bolonja reziston edhe me

Juventusi zhgënjen sërish në shtëpi, pasi nuk merr me shumë se një pikë në “Allianz” përballë Bolognas (1-1). Miqtë kalojnë të parët në avantazh me Arnautovic (52'), ndërsa bardhezinjtë barazojnë shifrat me Vlahoviç në minutën e 95-të.

Ka pasur tension dhe polemika kjo sfidë pa fitues, që Bologna e mbylli me nëntë lojtarë. Zhgënjen Juventusi, që pas barazimit të sotëm vë në dyshim vendin e katërt në renditje.

Në “Allianz” është një tifoz i veçantë si Del Piero, por 45 minutat e para përballë Bolognas përfundojnë në barazim të bardhë 0-0. Juventusi nuk bën asnjë goditje në kuadrat, por krijon tre raste të rrezikshme me Vlahovic, Dybala dhe Danilo.

Marko Arnautovic shokon tifozët e pranishëm në “Allianz”. Sulmuesi austriak driblon Szczesny dhe dërgon topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh Bolognan. Arnautovic shënon golin e 6-të radhazi në kampionat për kuqeblutë. Juventusi mundohet të reagojë, por Skorupski devijon në korne gjuajtjen e De Sciglio. Bardhezinjtë rrisin presionin dhe i afrohen golit me Danilon, por gjuajtja e tij përfundon në shtyllë. Provon edhe De Ligt, por Skorupski grushton gjuajtjen e tij.

Allegri kërkon të ndryshojë fatin e kësaj sfide dhe hedh disa forca të freskëta në fushë. Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit. Cuadrado godet traversën me portën bosh, por bardhezinjtë pretendojnë 11 metërsh për një ndërhyrje në dëm të Moratas.

Ndërhyn VAR dhe gjyqtari Sacchi pasi risheh pamjet nuk akordon penallti, por goditje jashtë zone dhe karton të kuq për Soumaoro. Bologna proteston dhe Medel ndëshkohet me të kuq dhe lë miqtë me 9 lojtarë.

Me dy lojtarë më shumë në fushë, Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit. Akordohen tetë minuta shtesë dhe pas disa përpjekjeve, Vlahovic arrin të barazojë shifrat në 1-1.