SPORT, 11 Mars 2022, 10:16

Rezervat nuk bindin, te Interi rikthehet në skenë ylli i Kaljarit

Rezervat nuk bindin, te Interi rikthehet në skenë ylli i Kaljarit

Interi dhe drejtuesit e tij janë gjithmonë në kërkim të përforcimit të skuadrës. Zikaltrit po përpiqen të zgjedhin njerëzit e duhur nga pikëpamja taktike për t’i dhuruar Inzagit një skuadër dinamike.

Cilësia do ia lehtësonte shumë punën trajnerit që në këtë fazë të kampionatit ka vuajtur shumë faktin që rezervat nuk ishin në të njëjtin nivel me titullarët, por ndërsa kjo pritet, ajo që bën përshtypje është ndryshimi i cilësisë në stol ndërmjet fazave.

Me huazimin e Sensit te Sampdoria, alternativat për të zëvendësuar Barelën, Brozoviçin apo Çalhanoglunë, kanë qenë të limituara dhe asnjëra prej tyre nuk u është përgjigjur kërkesave të Inzagit.

Vidal, Vesino e Galjardini kanë qenë gjithmonë e më pak protagonistë në javët e fundit dhe kjo është një tjetër arsye e shtuar pse si kilianit dhe uruguaianit nuk u ofrohet një rinovim kontrate.

Për çdo rast, si për të larguarit dhe për mungesën e cilësisë, Marota e Auzilio po punojnë për të sjellë në Milano futbollistë cilësorë, të cilët duhet të vijnë në ndihmë të skuadrës për të arritur objektivat dhe jo të bëhen pengesë.

Përpos monitorimit të situatës së Davide Fratezit të Sasuolos, që është prej kohësh objektiv për mesfushën, italiani nuk do të jetë i mjaftueshëm.

Për t’i dhënë një dorë skuadrës, drejtuesit zikaltër kërkojnë një profil që t’i japë frymëmarrje mesfushës, një lloj Brozoviçi që të ndihmojë si skuadrën dhe të lehtësojë kroatin në detyrat e tij.

Nahitan Nandez është një interes i vjetër dhe është rikthyer përsëri në vëmendje sidomos për mbulimin që i bën si mesfushës dhe korsisë së djathtë. Sprint, grintë dhe elasticitet për t’u përshtatur, të rralla për t’u gjendur në një futbollist të vetëm.

Uruguaiani i Kaljarit ka një klauzolë prej 35 milionë eurosh, por pa dyshim që Interi nuk ka ndër mend të shkojë më shume se 20 milionët e ofruara verën e shkuar, edhe pse për 26-vjeçarin kanë qenë të shumta klubet e interesuara, nga Juve tek ato angleze, Uest Hem e Lids.