SPORT, 10 Mars 2022, 13:57

Bllokimi i pronave të Abramoviç, ja çfarë i ndalohet klubit të Çelsit. Londinezët i shpëton një trajtim special

Bllokimi i pronave të Abramoviç, ja çfarë i ndalohet

Qeveria britanike ka vendosur ngrirjen e të gjithë aseteve të Roman Abramoviç, si pjesë e masave të ndërmarra kundër oligarkëve rus që kanë mbështetur Vladimir Putin dhe pushtimin e Ukrainës.

Pjesë e tyre është edhe klubi i Çelsit, i cili tashmë është në telashe të mëdha, pasi do të përballet me një situatë të paprecedent.

Londinezët do të vuajnë në mënyrë direkte këtë vendim pasi si fillim plani i Abramoviç për të shitur klubin, nuk mund të vihet në veprim.

Por jo vetëm kaq, pasi klubit i është bërë të ditur se nuk mund të shesë më bileta për ndeshjet e tij, apo të firmosë me futbollistë të rinj. Njëkohësisht, duhet që të mbyllë dyqanin dhe të pezullojë shitjen e të gjitha objekteve të marketingut.

Por statusi që ka klubi si “aset i rëndësishëm kulturor” i jep një leje të veçantë që të vazhdojë funksionimin e tij, që do të thotë të marrë pjesë në aktivitete, por me Abramoviç i cili nuk do të ketë asnjë lloj përfitimi financiar.

Në stadium nga tani e tutje do të lejohen vetëm tifozët të cilët kanë blerë abonetë sezonale.

Edhe pse merkato cilësohet e bllokuar tashmë zyrtarisht, pasi nuk do të lejohet blerja e lojtarëve, stafi dhe futbollistët aktualë do të vazhdojnë të paguhen rregullisht dhe shërbimet e stadiumit do të funksionojnë normalisht në ditën e ndeshjes.