SPORT, 10 Mars 2022, 15:01

Takaj prezanton Gegën te Skënderbeu: Shpresoj që UEFA të na falë dënimin 10-vjeçar

Takaj prezanton Gegën te Skënderbeu: Shpresoj që UEFA të na

Skënder Gega merr drejtimin e Skënderbeut. Vetë presidenti Ardjan Takaj prezantoi trajnerin e mirënjohur, duke e falënderuar Gegën që merr këtë detyrë në një periudhë të vështirë për ekipin korçar, teksa ndodhet në vendin e fundit në Superligë.

“Zhvillimet e fundit i dini të gjithë. Dua të falënderoj profesor Gegën për vendimin për të na ndihmuar në këtë moment të vështirë. Falë edhe miqësisë tonë të vjetër, me Gegën besoj se do të bëjmë një punë të mirë për të shpëtuar këtë sezon të vështirë. Afatet i kemi edhe më të gjatë. Nëse shpëtojmë, do të ulemi të diskutojmë me Gegën edhe për të ardhmen e Skënderbeut”, tha Takaj.

Numri një i klubit korçar shpreson ende që dënimi 10-vjeçar për Skënderbeun për të mos luajtur në Evropë të ulet, për të rikthyer më pas ekipin që gjithë tifozët korçarë e dëshirojnë.

"Akoma shpresojmë për një vendim të UEFA-s për të na ulur, për të na falur vendimin. Është vendim shumë i vështirë, sado klub i pasur të jesh. Motivimi për të gjithë është shumë i vështirë pa Europë, motivimi është gjëja kryesore në futboll.

Shpresa na mban për atë lloj Skënderbeu. Kishim pritshmëri më të mëdha për për këtë sezon. Projekti ishte 2-vjeçar, ka lojtarë që kanë vite te Skënderbeu, por as fatin nuk e kemi patur me vetë këtë sezon”, deklaroi kreu i klubit korçar.

Ndërsa trajneri Skënder Gega tha se është një sfidë, por shprehet besimplotë që Skënderbeu do të mbijetojë, pasi ka elementë dhe grup të mirë. Skënderbeu është ekipi i tretë në Superiore që drejton Gega, teksa më parë ka qenë trajner i Partizanit dhe Kukësit.

"Do i marrim me qetësi problemet, e rëndësishme dhe thelbësore është t’i besojmë njëri-tjetrit.  Jam munduar të shmang presionet kudo ku kam shkuar. Unë e shoh Skënderbeun si pretendent për të bërë hapa gradualisht, unë besoj", tha Gega.