SPORT, 20 Prill 2022, 23:30

Reali i Madridit me një dorë te titulli në Spanjë, Benzema humb dy penallti

Reali i Madridit me një dorë te titulli në Spanjë, Benzema

Humbja në "El Clasico" vetëm sa e ka zgjuar Real Madrid, që ka marrë fitoren e katërt radhazi dhe kryeson bindshëm në LaLiga.

Sot ekipi i drejtuar nga Ancelotti mposhti me rezultatin 3-1 në transfertë skuadrën e Osasunës.

Ndeshja nisi me vrull, pasi në 13 minuta u shënuan dy gola. Fillimisht ishte David Alaba, ai i cili brenda zone nuk fali dhe kaloi skuadrën e Real Madrid në avantazh.

Një minutë zgjati epërsia, pasi Budimir shënoi menjëherë për Osasuna. Real Madrid e kishte të qartë se kjo ndeshje duhej fituar dhe në fundin e pjesës së parë Asensio riktheu epërsinë.

Reali shkoi i qetë në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që në pjesën e dytë u akorduan dy penallti në favor të kryesuesve të LaLiga. Benzema u vu përballë Herrera dhe në shtatë minuta (52' dhe 59') ai ia priti francezit të dyja penalltitë.

Realit i duhej goli i qetësisë dhe mund ta shënonte me Nacho e Vinicius, por pa sukses. Në minutën e fundit shtesë realizoi edhe Vasquez, për t’u mbyllur llogaritë. Ekipi i Ancelottit mori tri pikë të tjera që e afrojnë edhe më shumë me titullin kampion.