SPORT, 20 Prill 2022, 23:04

Premier Liga / Mançester Siti i rimerr kreun Liverpulit, Arsenali i jep leksion Çelsit në derbi

Premier Liga / Mançester Siti i rimerr kreun Liverpulit, Arsenali i jep

Kryesimi i Liverpulit në kampionatin anglez ka zgjatur vetëm 24 orë, pasi skuadra e Mançester Sitit ka rimarrë vendin e parë me suksesin e sotëm 3-0 ndaj Brajton. Skuadra e Klop ishte ngjitur në krye një ditë më parë falë suksesit bindës 4-0 ndaj Mançester Junajtid dhe Siti është përgjigjur sot me një tjetër fitore të pastër.

Megjithatë, ekipit të Guardiolës iu desh të priste pjesën e dytë për të tundur rrjetën, kur më në fund ishte Mahrez ai që theu prapavijën e ngjeshur të miqve. Më pas erdhi goli i Foden që bëri duelin më të thjeshtë për “qytetarët” e në fund e pat radhën edhe Bernardo Silva që të vinte emrin e tij mes golashënuesve.

Ndërkohë, ndeshja më e bukur e ditës ka qenë padyshim derbi i Londrës mes Çelsit dhe Arsenalit. Blutë janë mundur në shtëpinë e tyre me shifrat 2-4 duke treguar se ndoshta po ndjejnë në fund të këtij sezoni trysninë e situatës së krijuar rreth klubit. Por ekipi i Tuhel duket se nuk rrezikon Ligën e Kampioneve pasi është për momentin i shkëputur në vendin e tretë, ndërsa Arsenali kthehet në garë për të katërtin, duke barazuar Totenhemin e Kontes.

REZULTATET
Everton-Leister 1-1
90’ Riçarlison / 5’ Barns

Çelsi-Arsenal 2-4
17’ Verner, 32’ Azpilikueta / 13’, 57’ Nketiah, 27’ Smith Rou, 90′ (p) Saka

Njukasëll-Kristal Palas 1-0
32’ Almiron

Mançester Siti-Brajton 3-0
53’ Mahrez, 65’ Foden, 82’ Bernardo Silva