SPORT, 19 Prill 2022, 22:59

Liverpuli pa mëshirë ndaj Mançester Junaitid, merr kreun e Premier Ligës

Liverpuli pa mëshirë ndaj Mançester Junaitid, merr kreun e

Liverpuli rikthehet menjëherë të fitorja në Premier Ligë. “The Reds” kanë mposhtur me rezultatin 4-0 skuadrën e Mançester Junaitid dhe kanë marrë kreun e klasifikimit, në pritje të Mançester Sitit që ka një ndeshje më pak.

Skuadra e Jurgen Klop e nisi me vrull që në fillim kundër “Djajve të kuq”. Që në minutën e pestë Liverpuli e zhbllokoi ndeshjen dhe ishte Luis Diaz ai që nuk gaboi pranë portës së United dhe e çoi topin në rrjetë.

Sulmet e vendasve nuk u ndalën, pasi një ndeshje e tillë duhet të hipotekohej sa më parë. Skenën e mori Mohamed Salah, i cili në minutën e 22-të ndëshkoi për të dytë herë skuadrën e Manchester United.

45 minutat e para nuk sollën gol tjetër, ndërsa në pjesën tjetër iu bashkua festës edhe sulmuesi Sadio Mane (68'), i cili shënoi edhe golin e tretë në portën e David De Gea. Dominimi i Liverpool vijoi dhe golat nuk kishin mbaruar.

Mohamed Salah (85') shënoi golin e katërt për “The Reds” dhe të dytin personal, për të vulosur "pokerin" e Liverpulit ndaj “armiqve” të përjetshëm.