SPORT, 29 Prill 2022, 13:52

Nuk lejohet blofi ndaj Dinamos/ Derbi jetik, presioni trazon ujërat te Partizani

Nuk lejohet blofi ndaj Dinamos/ Derbi jetik, presioni trazon ujërat te

Partizani dhe Dinamo përballen sot në “Selman Stërmasi” në orën 16:45 në një ndeshje mes skajesh të ndryshme.

Motivim i madh te Partizani, që do vetëm fitoren, kundrejt Dinamos, thuajse të dorëzuar për luftën për mbijetesë.

Gjithsesi, të gjithë ne e kemi parë se ekipet e dobëta në letër dinë të prishin punë dhe pritet që Dinamo të bëjë lojë të ndershme e të tentojë fitoren ndaj Partizanit, për të mbajtur gjallë atë fije shprese për mbijetesën, që i jep matematika.

Nga ana tjetër, Partizani vazhdon të kalojë ditë të mbushura me tension e presion, me tifozët dhe drejtuesit, që i kanë të gjithë sytë në fushë dhe presin që ekipi të reagojë pas dy “flopeve” ndaj Skënderbeut e Vllaznisë.

Një gjobë e dhënë pas barazimit me Skënderbeun i ka trazuar mjaft ujërat në skuadër, teksa ndaj Vllaznisë u dallua se ekipi më shumë është pezmatuar nga ai vendim i drejtuesve, sesa ka përmirësuar impenjimin dhe përgjegjësinë e tyre në stërvitje dhe ndeshje.

Sa më shumë afrojnë ndeshjet, aq më i madh është presioni për Partizanin, që është një klub me buxhet vjetor prej rreth 1 milion eurosh dhe ngecja jashtë Europës përbën një goditje të rëndë financiare, që do të përcaktojë jo pak edhe harxhimet në merkaton e verës.

Ky fakt e bën detyrim fitoren me Dinamon dhe në raste të tilla, kur rezultati është dashur me patjetër, Partizani është shfaqur i tensionuar dhe lojtarët nuk kanë qenë të qetë.

Mbetet të shihet sot se si ekipi do të shfaqet, teksa nëse ia dalin, do të heqin një peshë jo të vogël nga supet.