TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ksavi me siguri që ka mësuar shumë nga Reali dhe Ançeloti pas humbjes 2-3 në janar në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.
Ndryshe nuk mund të shpjegohet ai dominim absolut përballë madrilenëve në tempullin e tyre në “Klasiken” e dytë në La Liga dhe të tretë sezonale.
Për Ksavin kjo ka qenë “Klasikja” e parë në La Liga dhe ajo është shoqëruar me një fitore historike 0-4.
Të gjithë u janë kthyer historive të vjetra të sukseseve të Barcelonës në Madrid, kur Ksavi ishte në fushë si regjisor i lojës së katalanasve. Tashmë ai e ka heshtur Madridin edhe si trajner.
E të mendosh që është vetëm fillimi i karrierës së tij. Duke folur pas takimit, numri një i stolit të Barcelonës nuk e ka fshehur lumturinë për triumfin në Madrid.
SUKSESI – Jam i kënaqur, i lumtur për skuadrën dhe për tifozët tanë. Një fitore e tillë mund të ndryshojë dinamikën e së tashmes dhe së ardhmes së Barcelonës. Kemi zhvilluar një ndeshje spektakolare. Katalanasit duhet ta shijojnë këtë sepse nuk është e lehtë të arrish fitore të tilla në Madrid”, ka thënë Ksavi.
“MANITA” E MUNGUAR – Trajneri i Barcelonës nuk e ka fshehur dëshirën e tij që skuadra të kishte shënuar ndonjë gol më shumë.
Madje, ai ka gjetur vend edhe për kritika, pavarësisht se shifrat thonë 0-4 për Barcelonën. “Do të doja të kishim shënuar edhe golin e pestë, megjithatë edhe 0-4 nuk është keq.
Por më shumë se goli i pestë i munguar, më shqetësuan shumë raste të shpërdoruara.
OK, këtë herë gjithçka shkoi mbarë sepse ishim duke fituar 0-4.
Por në raste të tjera mund të ndodhë të jesh duke fituar 0-1 dhe duke shpërdoruar raste në fund humbet takimin. Humbja e topave dhe ulja e përqendrimit duhet të na shqetësojë”.
TITULLI – Ksavi është ngacmuar nga gazetarët edhe për titullin, me Barçën që tani është 12 pikë pas Realit me një ndeshje më shumë për të luajtur. Tekniku i Barçës ka zgjedhur të tregohet i kujdesshëm me këmbë në tokë.
“Titulli? Nuk përjashtoj asgjë, por e shoh shumë të vështirë. Kanë mbetur shumë pak ndeshje deri në fund”, ka thënë ai.